Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një grup i madh i forcave ushtarake amerikane është në lëvizje drejt Iranit, por theksoi se do ta dëshironte shumë që situata të mos përshkallëzohej në konflikt.

Ai foli për këtë çështje me gazetarët ndërsa ishte në aeroplanin presidencial Air Force One, gjatë kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos.


Trump konfirmoi se disa kapacitete të rëndësishme ushtarake amerikane janë dërguar drejt Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe një grup luftarak të shpërndarë nën një aeroplanmbajtëse dhe anije të tjera ushtarake, raporton reuters.

“Kemi shumë anije që shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Kemi një flotë të madhe që shkon drejt Iranit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi ai.

Lideri amerikan shtoi se lufta nuk është zgjedhja e tij e parë dhe do të preferonte që të mos ndodhte asgjë e tillë, duke thënë se “do të doja që të mos ndodhte asgjë, por ne i ndjekim shumë me kujdes”.

Sipas 79-vjeçarit, dërgimi i forcave është një masë paralajmëruese dhe shërben edhe si demonstrim force, por ai nuk dëshiron të përdorë ushtrinë në konflikt, përveç nëse situata bëhet e domosdoshme.

Ndryshe, Trump kishte kërcënuar vazhdimisht të ndërhynte kundër Iranit për shkak të vrasjeve të fundit të protestuesve atje, por protestat u pakësuan javën e kaluar dhe “retorika e Trump në lidhje me Iranin është zbutur”. /Telegrafi/