Truku i modës: Detaji që stilit strikt të Kate Middleton i dha freski të jashtëzakonshme

Në paraqitjen e saj të fundit në Londër, Kate Middleton dëshmoi edhe një herë se eleganca më e madhe shpesh fshihet te zgjedhjet më të menduara
Kate Middleton në shënimin e Anzac Day në Londër tregoi edhe një herë se sa mirë e zotëron stilin formal dhe të përmbajtur. Me një fustan-pallto ngjyrë blu të errët me rever të bardhë të theksuar, ajo u shfaq elegante, e matur dhe plotësisht në përputhje me rastin.
Princesha e Uellsit mori pjesë e vetme në ceremoninë përkujtimore kushtuar ushtarëve australianë dhe neozeelandezë, ndërsa zgjedhja e saj e modës tërhoqi menjëherë vëmendjen. Në vend të detajeve të dukshme, ajo zgjodhi një paraqitje të rafinuar që bashkonte prerje strikte, aksesorë klasikë dhe bizhuteri të përmbajtura me gurë blu, transmeton Telegrafi.

Blu e errët me kontrast të qartë
Për këtë ngjarje solemne dhe të ndjeshme, Kate Middleton zgjodhi një fustan-pallto të re në ngjyrë blu të errët, me prerje të pastër dhe pa detaje të tepërta. Elementi kyç ishte reveri i madh i bardhë, i cili solli kontrast dhe i dha gjithë paraqitjes një ndjenjë freskie, pa u larguar nga formaliteti.
Pamjen e plotësoi me një kapelë në të njëjtën nuancë, të zbukuruar me fjongo në pjesën e pasme, duke mbetur besnike stilit të saj të njohur mbretëror.
Vëmendje të veçantë morën edhe bizhuteritë e përzgjedhura, sidomos vathët me safir, të cilët u përshtatën në mënyrë të përkryer me paletën blu të veshjes. Krahas tyre mbante edhe një gjerdan me gur blu, ndërsa në pallto kishte vendosur lulen e kuqe të lulëkuqes, simbol i kujtimit për ushtarët e rënë.
Elegancë me mesazh
Kate Middleton prej vitesh kultivon një estetikë që mbështetet te linjat e qarta, materialet cilësore dhe mesazhet e menduara përmes modës. As këtë herë nuk u largua nga formula që i përshtatet më së miri: siluetë strikte, mbulesa klasike për kokën dhe një dozë e lehtë glamuri aristokratik. /Telegrafi/



















































