Skandalet që përfshijnë Andrew Mountbatten-Windsor, dikur i njohur si Princi Andrew, po vazhdojnë të tronditin familjen mbretërore britanike, duke lënë pasojat më të mëdha te vajzat e tij, Princeshat Beatrice dhe Eugenie.

Vendimi i Mbretit Charles për t’ia hequr Andrewt titullin princëror ka sjellë turp të madh për motrat York dhe ka rrezikuar reputacionin e familjes së tyre për brezat e ardhshëm.


Biografi Andrew Lownie ka sugjeruar se Beatrice dhe Eugenie mund të heqin dorë vetë nga titujt e tyre për t’u distancuar nga skandalet.

“Gjithmonë Andrew i ka thënë Charlesit: ‘Unë do të largohem, vetëm sigurohu që vajzat e mia të jenë mirë'. Por tani ato mund të duan të heqin dorë nga titujt për të jetuar më qetë”, tha Lownie për Page Six.

Pas ditësh përplasjesh ligjore mes pallatit dhe avokatëve, Andrew është zhveshur nga titulli dhe po largohet nga rezidenca e tij, Royal Lodge.

Ai do të zhvendoset në Sandringham, pronën private të Mbretit Charles në Norfolk.Beatrice dhe Eugenie, të dyja të martuara dhe nëna, thuhet se janë të shkatërruara emocionalisht nga situata.

Një burim nga Londra tha për Page Six: “Beatrice është e thyer zemër, nuk e kupton pse duhej të përfundonte kështu".

Burime nga pallati kanë theksuar se vajzat nuk duhet të mbajnë përgjegjësinë për veprimet e babait të tyre.

Edhe pse nuk janë pjesë aktive e familjes mbretërore, ato kanë përfaqësuar herë pas here monarkinë në ngjarje si pritjet në kopshtet e Buckingham Palace dhe janë të angazhuara në bamirësi dhe karriera profesionale.

Beatrice dhe Eugenie raportohet se kanë lënë Mbretërinë e Bashkuar pak përpara se lajmi për rrëzimin e babait të tyre të bëhej publik, ndërsa familja mbretërore po përpiqet të përballet me një tjetër periudhë krize. /Telegrafi/