LAJMI I FUNDIT:

Tri pengesat për marrëveshje të paqes në Ukrainë

Tri pengesat për marrëveshje të paqes në Ukrainë

Nga: James Forsyth / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Një muaj më vonë, lufta në Ukrainë po del të jetë shumë më ndryshe nga sa priste dikush. Në ditën e parë të pushtimit, burimet perëndimore të inteligjencës kanë besuar se brenda 72 orëve Kievi do të binte në duart e forcave ruse, duke nënvlerësuar kështu aftësinë e ukrainasve për ta mbrojtur territorin e tyre dhe duke i mbivlerësuar aftësitë e ushtrisë ruse.

Ndër gabimet e shumta të Vladimir Putinit ishte nënvlerësimi i unitetit perëndimor. Nuk e ka parashikuar ashpërsinë e sanksioneve kundër Rusisë ose se akti i tij i agresionit do ta nxirrte Evropën (më së shumti Gjermaninë) nga vetëkënaqësia për shpenzimet e mbrojtjes. Në një farë mënyre, duke shkuar drejt pushtimit të plotë, Putini ia bëri më të lehtë Perëndimit që ta përvetësojë pozicionin e unifikuar. Nëse do t’i kishte zhvilluar gjërat gradualisht, pothuajse me siguri nuk do ta kishte marrë një reagim të tillë.


Në orët e para pas fillimit të konfliktit, debati në Qeverinë britanike ishte se a do të mbijetojë uniteti perëndimor nëse Putini do ta instalojë me sukses një qeveri kukull në Kiev. A do të ketë unanimitet në NATO për armatosjen dhe për financimin e kryengritjes ukrainase? Këtë javë, ambasadori ukrainas në Gjermani e akuzoi Berlinin se bëhej gati të fliste me një qeveri kukull vetëm disa orë pasi rusët kishin kaluar kufirin.

Por, deri më sot, ushtria ruse nuk ka arritur ta përmbush shumicën e qëllimeve të veta. Qeveria ukrainase është ende në Kiev dhe fuqitë perëndimore vazhdojnë t’ia japin asaj armët mbrojtëse. Rusët kanë shumë pak prani në perëndim të vendit sa që NATO mund të jetë e sigurt se nuk do të sulmohen linjat e furnizimit që i lëvizin pajisjet, diçka që do ta përshkallëzonte konfliktin. Në të vërtetë, ushtria ruse shihet se po tërhiqet nga kryeqyteti dhe në vend të kësaj po përqendrohet në lindje.

Bisedimet e paqes në Stamboll duket se po përparojnë. Por, sa herë që lind optimizmi nga këto bisedime, gjërat bien kur një lider perëndimor bisedon me Putinin. Siç thotë një burim diplomatik: “Normalizuesit hiperaktivë nuk bënë send”. Çfarëdo që thuhet rreth tryezës së bisedimeve, është e vështirë të besohet se Putini do ta pranonte anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, diçka që do ta konfirmonte orientimin e saj perëndimor.

Janë tri blloqe pengesash, për ta arritur marrëveshjen. Së pari, është dilema nëse forcat ruse janë gati të tërhiqen atje ku ishin para fillimit të pushtimit dhe ta kthejnë territorin që e kanë zaptuar. Së dyti, çfarë do të ndodhë me pjesët e Ukrainës që Rusia ose i ka aneksuar, si Krimea, ose me dy të ashtuquajturat republika separatiste në Donbas – të njohura si “të pavarura”? E treta është çështja e neutralitetit të Ukrainës. Pa anëtarësimin në NATO, garantuesi më i mirë sigurisë së vendit është ushtria e pajisur dhe e trajnuar mirë. Nëse rusët kanë filluar të negociojnë tashti më seriozisht, kjo është për shkak të rezistencës nga forcat ukrainase. Veteranët e negociatave të Minsk II-shit të vitit 2015 kujtojnë se si, gjatë diskutimeve, Putini e ngulte pirunin e tij në tryezë për të treguar se si po përparonin forcat pushtuese të Rusisë. Mesazhi ishte i qartë: sa më gjatë që prisnin ukrainasit për të nënshkruar, aq më shumë territor do të merrej.

Çështja me garancitë e sigurisë për Ukrainën gjithmonë varet nga ajo se sa janë të gatshme vendet që të rrezikojnë të hyjnë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, duke qenë se është shtet me armë bërthamore. Në një mënyrë, performanca e dobët e ushtrisë ruse në këtë konflikt e ka shtuar këtë rrezik. Ndryshe nga Lufta e Ftohtë, kur supozohej se BRSS-ja e kishte avantazhin në luftën konvencionale, është e qartë se Rusia nuk është e barabartë me ushtritë e NATO-s. Kjo e bën Moskën të jetë më e varur nga armët e shkatërrimit masiv.

Deri tash, NATO-ja e ka furnizuar Kievin me armë të dizajnuara për ta frenuar avancimin rus – të tillat si pajisjet antitank. Qëllimi i armatimit më të avancuar që ka ofruar Britania e Madhe, si sistemi kundërajror Starstreak, është që ndalen rusët që ta fitojnë dominimin ajror.

Megjithatë, nëse Ukraina do ta rimarrë territorin që rusët e kanë zaptuar, do të ketë nevojë për mbështetje më ndryshe ushtarake, për çka presidenti Volodymyr Zelensky po i bën thirrje NATO-s që Ukrainës t’ia japin tanket dhe aeroplanët. Nëse ushtria e Ukrainës do t’i çlirojë vendet që Rusia i ka marrë me forcë, atëherë do të duhet të ketë aftësi më të mëdha sulmuese në tokë dhe në ajër.

Zelensky gjithashtu i do këto tanke dhe aeroplanë meqë ato do e rrisin moralin. Ato do t’ia jepnin popullit ukrainas ndjesinë se e lufta ka një fund të mundshëm, se luftimet nuk do të vazhdojnë për vite me radhë – ashtu siç ka ndodhur me konfliktin në lindje.

Nuk është punë e lehtë të merret pajtimi i NATO-s për ta furnizuar Ukrainën me tanke; Emmanuel Macron e ka bërë tashmë të qartë skepticizmin e vet ndaj kësaj ideje, duke e quajtur si “vijë të kuqe”. Por, cila është alternativa? Pa më shumë forca të blinduara duket se Ukraina është e destinuar për një konflikt të gjatë e me efekte të vogla.

Po del se administrata e Joe Bidenit po anon drejt pozicionit më të sigurt. Tregues është fakti se në vizitën e fundit evropiane, presidenti amerikan zgjodhi të shkonte në Poloni, te një nga anëtarët më të angazhuara të NATO-s. Më është thënë se udhëtimi i tij e forcoi vendosmërinë e anëtarëve më të ashpër të aleancës.

Rezistenca ukrainase ia ka lejuar Perëndimit t’i qaset strategjisë për t’i mposhtur rusët përmes sanksioneve dhe ndihmës ushtarake për forcat ukrainase. Pyetja tash është nëse Perëndimi mund ta transformojë atë strategji me diçka afatgjate, që do t’ia jepte fundin revanshizmit rus dhe do t’ia mundësonte Ukrainës ta rimarrë territorin që Putini ia ka pushtuar muajin e kaluar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Kalo në kategori