Tri ish-partitë opozitare dhe Nisma bojkotojnë seancën e mëngjesit, AAK paralajmëron edhe votë kundër Qeverisë

Tri ish-partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK do të bojkotojnë seancën e parë të thirrur për nesër në orën 11:00, ku sipas propozimit të LVV-së në rend dite janë themelimi I komisioneve të përhershme ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së.
Menjëherë pas njoftimit për seancë, ishte LDK e cila njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e mëngjesit vetëm në atë të orës 14:00 ku pritet të votohet formimi i Qeverisë.
LDK ka theksuar se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin çështje serioze si marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore, dhe se ata nuk do të marrin pjesë “në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
E këtë seancë do ta bojkotojë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu ka thënë për Telegrafin se nuk do të marrin pjesë.
“Ne nesër nuk marrim pjesë në seancën e orës 11:00 vetëm në atë të orës 14:00”, tha Abdullahu.
Të njëjtin veprim do ta bëjë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili i tha Telegrafit se në seancën e orës 14:00 vota e tyre do të jetë kundër Qeverisë.
“Në seancën e parë nuk marrim pjesë, në seancën e dytë vota jonë është kundër”, tha Xhemaili.
Edhe Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se nuk do të marr pjesë në seancën e orës 11:00.
"NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime", thuhet në njoftimin e Nisma-s.
Tutje kjo parti ka theksuar se thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore.
" Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore. Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këtë seancë të improvizuar.Ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues. Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale", thuhet mes tjerash në reagim.
I mandatuari për formimin e qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.
Konjufca ka deklaruar se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit. /Telegrafi/











































