Tri automjete përfshihen në aksident në rrugën Prishtinë–Pejë, dy të lënduar
Një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë tri automjete ka ndodhur pasditen e së shtunës në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Koreticë.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili tha se aksidenti është raportuar më 24 maj 2025, rreth orës 16:15.
“Sipas patrullës policore në aksident janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Njësia policore është marrë me procedurat në vend-ngjarje”, deklaroi Krasniqi.
Policia e Kosovës po heton rrethanat e këtij aksidenti, ndërsa gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk raportohet të jetë e rëndë.
Drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët po ftohen që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në rrugët nacionale me qarkullim të dendur./Telegrafi/































