Trazirat shpërthyen në Milano gjatë protestës së sotme për Gazën, duke u përshkallëzuar në stacionin qendror, ku një grup protestuesish u përplasën me policinë.

Të rinj të veshur me të zeza u përpoqën të hynin me forcë në stacionin e metrosë, duke shkatërruar hyrjen e stacionit dhe duke lënduar dhjetëra njerëz.


Për shkak të kaosit, trenat u devijuan nga stacioni qendror për më shumë se një orë, raporton la Repubblica.

Rreth gjashtëdhjetë anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën në përleshje, 23 prej të cilëve u dërguan në spital, ndërsa dhjetëra protestuesish u ndaluan.

Ambulancat trajtuan gjithashtu dymbëdhjetë pjesëmarrës në marshim, të moshës midis 23 dhe 54 vjeç, transmeton Telegrafi.

Grupi i dhunshëm, i cili numëronte rreth njëqind persona, përdori një fikës zjarri dhe ngriti kosha plehrash si barrikada, duke vazhduar të hidhte shishe dhe kanaçe drejt policisë.

Ata kishin tentuar më parë të hynin në metro, por policia i bllokoi në shkallët lëvizëse duke përdorur shkopinj.

U qëlluan disa bomba tymi dhe protestuesit përdorën skela për të shkatërruar një mur xhami në hyrjen kryesore të stacionit.

Policia më në fund arriti t'i shtyjë protestuesit jashtë stacionit, pas së cilës ata vazhduan të hidhnin çadra, shkopinj, gurë dhe pjesë të inventarit të qytetit ndaj oficerëve përgjatë rrugës Vittor Pisani.

"Vandalizmi i sotëm, i shkaktuar nga grupe të dhunshme, nuk ka asnjë justifikim dhe sigurisht nuk e ndihmon kauzën e Gazës", komentoi kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala.

Në javët e fundit, Milano ka parë demonstrata me pjesëmarrje të gjerë në mbrojtje të kauzës palestineze, gjithmonë në mënyrë paqësore. Tani - thotë kryebashkiaku - autorët duhet të identifikohen menjëherë. /Telegrafi/