Trazira në burgun e Korfuzit, shqiptarët dhe gjeorgjianët i vënë flakën dyshekëve

Trazira të dhunshme shpërthyen mëngjesin e kësaj të marte në burgun e Korfuzit, kur një grup të burgosurish i vunë flakën dyshekëve dhe shkaktuar tensione në disa sektorë të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Mediat greke shkruajnë se, incidenti u shënua në sektorët E dhe Z të burgut, ku grupe të të burgosurve shqiptarë dhe gjeorgjianë nisën protestën, si kundërpërgjigje ndaj kontrolleve të fundit në qeli, gjatë të cilave autoritetet kishin sekuestruar pajisje të ndaluara, përfshirë telefona celularë.
Zjarri i shkaktuar nga djegia e dyshekëve u vu nën kontroll brenda pak minutash falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës. Në vendngjarje mbërritën drejtori i policisë së ishullit, si dhe dy negociatorë për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Autoritetet po hetojnë incidentin, ndërsa janë marrë masa për të rivendosur rendin dhe për të garantuar sigurinë në ambientet e burgut. /EuronewsAlbania/







































