LAJMI I FUNDIT:

Trajtimi i punëtorëve teknikë vazhdon të jetë shqetësues

Trajtimi i punëtorëve teknikë vazhdon të jetë shqetësues
Foto: Arkiv

Për Kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemin, shqetësuese vazhdon të mbetet trajtimi i punëtorëve teknikë, të cilët janë kontraktuar nga kompani të ndryshme për të kryer punë në institucione shtetërore.

Sipas Azemit, në sindikatën që ai udhëheq numri më i madh i ankesave përgjatë vitit të kaluar dhe këtij fillim viti, kanë ardhur nga punëtorët teknikë, higjienikë e punëtorët e sigurimit të cilët janë kontraktuar për të kryer punë në institucione të ndryshme të shtetit.

“Kryesisht ankesat më të mëdha kanë ardhë nga punëtorët të cilët në një far forme kanë varshmëri nga pagesat që bëhen nga Qeveria e Kosovës. Për shembull punëtorët Teknik të QKUK-së, në Universitetin e Prishtinës, punëtorët të cilët kryejnë punë për institucionet shtetërore por paguhen nga kompanitë private. Këtu e kemi gjendjen shumë të rendë. Gjendje të cilën buxhetit i shtetit këta punëtor i paguan ende me pagë 250 euro. Këtu e kemi pasur fokusin më të madh, këtu kemi pasur ankesa më të mëdha dhe këtu I kemi dënimet më të mëdha që ja bën një shtet punëtorëve në sektorin privat të Kosovës”, ka thënë Azemi.


Ndërsa, kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi tregon se në Inspektoratin e Punës, ankesat më të mëdha vijnë nga një tjetër kategori e punëtorëve në Kosovë.

“Ankesat që ne i pranojmë më së shumti janë nga sektori i marketeve dhe gastronomisë. Pra këto janë dy sektorët që prijnë me ankesa dhe ankesat që i pranojmë nga këto sektorë janë nga marrëdhënia e punës, shkëputje e njëanshme e kontratës së punës, mospagesë e orëve jashtë orarit, mos pagë e pushimeve vjetore e të lehonisë e kështu me radhë”, ka thënë në anën tjetër Nikçi.

Kryetari i Sindikatës Jusuf Azemi, specifikisht ngriti shqetësim për punëtorët teknikë të cilët punojnë në Qendrën Studentore, të cilët sipas tij, punojnë edhe në ditën e pushimit, pa u paguar përkitazi me ligjin e punës.

Për këtë, ai ka treguar se ka përgatitur ankesë në Inspektorat të Punës, pasi që pas komunikimit me punëdhënësin, i cili në këtë rast është kompania ‘Beni”, nuk e ka trajtuar ankesën e sindikatës.

Në ankesë, është kërkuar që dita e pushimit, përkatësisht e shtuna, të paguhet sipas ligjit ose të hiqet fare si ditë pune.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar disa të punësuar në kompaninë “Beni” të cilët kryejnë punë teknike në Qendrën e Studentëve.

Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamere, me frikën se mund të largohen nga puna, por kanë treguar se ata punojnë çdo ditë pune nga ora 7 deri në ora 14.00. të shtunën punojnë nga ora 7 deri në ora 12. Krejt kjo për 290 euro rrogë. Kështu ata po kërkojnë që të heqin ditën e shtunë si ditë punë dhe të rrisin orarin e punës gjatë ditëve të javës për 1 orë më shumë, në mënyrë që të kenë dy ditë pushimi në javë. Por nëse kjo nuk është e mundur, së paku pagesa e punës në ditë vikendi t’u paguhet më shumë.

Pronari i kompanisë “Beni”, Arben Kuçi, ka thënë se kjo punë është e rregulluar nga Autoriteti Kontraktues që në këtë rast është Ministria e Arsimit dhe Qendra e Studentëve. Në bazë të dosjes së tenderit është e rregulluar kjo gjë. Edhe paga edhe ditë edhe orari i punës është i përcaktuar sipas marrëveshjes kontraktuale të paracaktuar.

Ai ka thënë përmes telefonit se si kompani, kryejnë vetëm shërbime, dhe nuk mund të ndërhyjnë më shumë.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe autoritetin kontraktues që në këtë rast është Qendra e Studentëve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Ekrem Rudari, tha përmes telefonit se kontratën e ka gjetur të tillë dhe punëtorët duhet të jenë aktivë edhe në ditë të vikendit për shkak të kërkesave specifike që ka qendra, por për çështjen e pagesës 50% më shumë nuk e ka të rregulluar me kontratë. Ai tha se këtë problem të punëtorëve e ka adresuar dhe do ta adresojë sërish, por bëri të ditur se për punën që bëjnë në vikend, me raste marrin ditë pushimi si kompensim.

Për këtë pretendimin e fundit të ushtruesit të detyrës së drejtorit rreth ditës së lirë si kompensim, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur sërish punëtorët. Ata kanë thënë se kjo, nuk është e vërtetë, ata marrin leje nga puna kur kanë nevoja shumë specifike për të bërë vizita mjekësore ose raste me fëmijët e tyre, por nuk marrin ditë të lirë nga puna si kompensim për punën që bëjnë të shtunën.

“Ne çdo ankesë që pranojmë si nga sektori privat ashtu edh nga ai publik ne e trajtojmë sipas procedurave dhe afateve ligjore. Ne kemi pranuar edhe ankesa edhe nga sektori publik për rastet që ju po i përmendni dhe i kemi trajtuar brenda afateve ligjore”, ka thënë Nikçi.

Përgjatë vitit 2023 Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar 1348 ankesa të cilat më pas janë iniciuar për inspektim dhe më pas janë trajtuar.

Gjatë këtij viti janë trajtuar dhe inspektuar 8114 subjekte dhe brenda këtyre subjekteve janë trajtuar 53.887 punëtor.

Prej tyre 31.964 burra dhe 21.923 gra.

“Këtu dua të theksoj se vërejtët një trend i rritjes së raportimeve me ankesa të burrave dhe grave e kryesisht të grave në Inspektoratin Qendror të Punës, që tregon se është rritur vetëdijesimi i tyre dhe është rritur gjithashtu besueshmëria e tyre në Inspektoratin Qendror të Punës. Krahas me vitin 2022, kemi një rritje prej 20% të ankesave dhe trajtimeve të grave nga Inspektorët e Punës në Inspektoratin Qendror të Punës”, ka thënë tutje kryeinspektori.

Trend në rritje për të adresuar shkeljen e Ligjit të Punës dhe padrejtësitë në marrëdhënie të punës, është vërejtur edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Inspektorit Qendror të Punës, në 3 muajt e parë të këtij viti ka pranuar 2904 ankesa të cilat kanë rezultuar me po kaq inspektime dhe raste të trajtuara.

Apo 1161 raste më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Sipas të dhënave të disponueshme nga Inspektorati Qendror i Punës, përgjatë tremujorit të parë të këtij viti nuk është regjistruar asnjë vdekje në vendin e punës. Ndërsa vitin e kaluar ishin regjistruar 11 raste të punëtorëve të cilit kishin vdekur në vendin e tyre të punës.

Sipas të dhënave Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2023 janë identifikuar  325 mijë 636 burra dhe 132 mijë e 702 gra, si punëtorë potencial. Prej tyre  297 mijë e 637 burra dhe 107 mijë e 984 gra janë të punësuar. Ndërsa  27 mijë e 999 burra e 24 mijë e 718 gra, janë të pa punë. /Betimi për Drejtësi/