Trajneri i Sparta Pragës, Priske e lavdëron Rrahmanin për paraqitjen

Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, e ka nisur sezonin e ri me gol në kampionatin çek. Ai realizoi në minutën e 22-të për të kaluar Sparta Pragën në epërsi 1-0 në ndeshjen ndaj Mlada Boleslav, e vlefshme për xhiron e dytë të elitës çeke.
Sparta triumfoi në fund me rezultat 3-2, në një sfidë dramatike që pati kthesa të shumta.
Rrahmani, i cili ishte titullar, u largua nga loja në minutën e 53-të, ku në vend të tij hyri sulmuesi sllovak, Lukas Haraslin.
Pas ndeshjes, trajneri i Spartës, Brian Priske, vlerësoi paraqitjen e sulmuesit kosovar, jo vetëm golin.
“Jam i kënaqur që kemi kualitet në gjithë lojtarët. Më duhet ta lavdëroj Albion Rrahmanin, që ka pasur lojë shumë të mirë. Ai ishte i përfshirë në presing, shënoi gol të rëndësishëm”, u shpreh Priske.
Për Rrahmanin, ky ishte një rikthim i mirë, pas një sezoni të parë të vështirë në Çeki, ku luftoi me formën dhe kohën e aktivizimit.
Ndërkohë, futbollisti tjetër kosovar në radhët e Spartës, Ermal Krasniqi, nuk u aktivizua në këtë ndeshje dhe qëndroi në stol gjatë gjithë takimit. /Telegrafi/




















































