Tottenham kaloi në epërsi ndaj Arsenalit në derbin e Londrës Veriore falë një goli spektakolar nga Pape Matar Sarr, gjatë ndeshjes parasezonale të zhvilluar në “Kai Tak Sports Park” të Hong Kongut. Mesfushori senegalez shfrytëzoi një gabim në ndërtimin e lojës nga Arsenal për të realizuar një perlë nga mesi i fushës, duke i dhënë avantazhin Spurs në fund të pjesës së parë.

Goli erdhi pas një pasimi të rrezikshëm nga David Raya për Myles Lewis-Skelly, i cili u ndal në mënyrë të pasigurt dhe e humbi topin. Sarr vuri re se portieri spanjoll ishte shumë larg vijës së tij dhe nuk hezitoi të godiste me precizion të lartë nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë.


Arsenali reagoi menjëherë me protesta. Lojtarët e “Topçinjve”, përfshirë Lewis-Skelly dhe kapitenin Martin Odegaard, kundërshtuan te gjyqtari i katërt, duke pretenduar se Richarlison kishte penguar Lewis-Skellyn para golit. Megjithatë, gjyqtari nuk e ndaloi aksionin dhe goli qëndroi.

Ky duel ishte i pari midis dy rivalëve historikë që zhvillohej jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Sarr shënoi një nga golat më të veçantë të turneut, duke e vulosur ndeshjen me një veprim individual që do të mbahet mend gjatë nga tifozët në Hong Kong.

Për Arsenalin, kjo ishte ndeshja e tretë në Azi pas përballjeve me Milan dhe Newcastle në Singapor. Spurs, në anën tjetër, prezantuan fanella të dizajnuara nga artistë vendas dhe pritet të luajnë kundër Newcastle në Seul përpara se të sfidojnë Bayern Munich në Audi Cup, përpara finales së Superkupës së UEFA-s ndaj PSG më 13 gusht.

Arsenali do të kthehet në Londër për dy miqësore ndaj Villarreal dhe Athletic Bilbao në Emirates, përpara se të udhëtojë drejt Old Trafford, ku do të përballet me Manchester United në javën e parë të sezonit të ri në Ligën Premier. /Telegrafi/

telegrafi sport app