Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë thirrje për sqarim lidhur me vonesën e ekzekutimit të buxheteve komunale për vitin 2026, duke theksuar se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e komunave.

“Të nderuar, përkundër faktit se buxheti i vitit 2026 është aprovuar nga Qeveria dhe dekretuar nga Presidenca, edhe pse jemi në mes të muajit mars, komunat akoma nuk e kanë në dispozicion për shfrytëzim”, ka shkruar Totaj në rrjetet sociale.


Sipas tij, dyshohet se Ministria e Financave ka vendosur në pritje për ekzekutim pagesat përmbarimore nga buxheti i komunave, me një vlerë të përafërt prej rreth 100 milion euro.

“Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e Ministrisë do të ketë për pasojë çrregullimin e funksionimit të buxheteve komunale”, ka shtuar kryetari Totaj.

Ai ka kërkuar që autoritetet kompetente të japin një sqarim të shpejtë dhe të sigurojnë që komunat të kenë në kohë mjete për shfrytëzim, duke garantuar funksionimin normal të shërbimeve ndaj qytetarëve. /Telegrafi/