LAJMI I FUNDIT:

Tjetër aderim në PDK, Blerim Shala i bashkëngjitet “Fillimit të ri”

Tjetër aderim në PDK, Blerim Shala i bashkëngjitet “Fillimit të ri”

Publicisti Blerim Shala është bërë sot pjesë e ekipit Fillimi i Ri, duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se vetëm me intelektualë dhe kuadro profesionale do të ecet përpara në zhvillimin dhe integrimeve euro atlantike të vendit.


“Nuk ka proces të mirë që ka ndodhur për Kosovën e ku nuk ka qenë i inkuadruar me dhënien e kontributit të tij intelektuali dhe personaliteti i shquar Blerim Shala. Më vjen mirë që Blerimi nga sot është pjesë e Fillimit të Ri”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, publicisti Blerim Shala ka thënë se vendimi i tij për të mbetur në politikë ka qenë i vështirë, por se ka premtuar që do të përpiqet, me aq dije, përvojë dhe përgjegjësi që ka, të kontribuojë prej sot e tutje si pjesë e PDK-së, në mëkëmbjen e shtetit të Kosovës.

“Fillimi i Ri është kategori ekzistenciale për të gjithë ne, është thelbi i politikës së re në Kosovë”, ka deklaruar Shala në konferencën për media.

Shala ka pohuar se politika në Kosovë sot është vendi më i keq i mundshëm për të qenë. Sipas tij, në këtë politikë, gjithçka dhe çdokush i nënshtrohet degradimit dhe devalvimit.

“Mbase askush nuk ka fjalë të mira për ne, si politikanë. Dhe në masë të madhe, ata kanë të drejtë”, ka thënë ai.

Blerim Shala më tej ka rrëfyer rrugëtimin e tij në politikë.

“Vendimi im për të hyrë në politikë, aty në dimrin e vitit 1989-të, për mua dhe përfaqësuesit e tjerë të brezit tim, të cilët u munduam të kontribojmë në vënien e themeleve të demokracisë dhe Lëvizjes për pavarësi, ka qenë gjithashtu i rëndë. Megjithatë, atëherë e kemi ditur që marrja jonë me politikë është obligim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj Atdheut që kërkonte lirinë”, ka thënë Shala.

“Kohërat kanë ndryshuar për të gjithë ne”, ka shtuar ai.

“Në vitin 1999 Kosova u bë e lirë, dhe ne të gjithë fituam një fillim të ri, si popull, si vend. Në vitin 2008, Kosova u bë shtet, dhe ne merituam një fillim që kishim synuar me shekuj. Megjithatë, ne e dimë që sot nuk kemi pse të mburremi si politikë”, është shprehur ai.

Shala ka vlerësuar se dëshpërimi dhe zhgënjimi janë kategoritë më reale në përshkrimin e situatës në Kosovë.

Ky vend, qytetarët e tij, ka shtuar ai, duan që Kosova të ndryshojë, që shteti i Kosovës të ofrojë siguri për të gjithë, rend dhe ligj për të gjithë, zhvillim ekonomik për të gjithë, perspektivë evropiane për të gjithë.

“Prandaj, Fillimi i Ri nuk është një parullë politike, nuk është moto në një flamur partiak, mbi të gjitha, Fillimi i Ri është kategori ekzistenciale për të gjithë ne, është thelbi i politikës së re në Kosovë”, ka deklaruar Shala.