Tifozët e United fishkëllyen Dzekon në ndeshjen miqësore me Fiorentinën, nuk e kanë harruar nga e kaluara

Tifozët e Manchester United e pritën me fishkëllima të ashpra sulmuesin boshnjak Edin Dzeko gjatë ndeshjes miqësore të sotme kundër Fiorentinës.
Incidenti ndodhi në minutën e 15-të, kur Dzeko u rrëzua pas një dueli me Harry Maguire.
Gjyqtari nuk akordoi faull, gjë që shkaktoi reagimin e ashpër të lojtarit, i cili pretendoi se mbrojtësi anglez e kishte shkelur në këmbë.
Loja u ndërpre për pak çaste për t’i ofruar ndihmë sulmuesit.
Fishkëllimat e tifozëve u shtuan menjëherë pas këtij momenti, duke rikujtuar rivalitetin e vjetër.
Dzeko ka qenë “makth” për United gjatë viteve, veçanërisht me fanellën e Manchester Cityt, ku shpesh ka shënuar gola vendimtarë ndaj “Djajve të Kuq”.
Gjatë karrierës së tij, boshnjaku ka realizuar nëntë gola dhe ka dhënë një asist në 12 ndeshje kundër United, duke luajtur për Manchester Cityn, Wolfsburgun, Romën dhe Fenerbahçen.
Vetëm me Cityn, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë një asist ndaj rivalëve të qytetit. /Telegrafi/





















































