Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka bërë të hënën, rreth orës 20:50, policia në Kaçanik është njoftuar nga Qendra Emergjente se një person i lënduar me mjet të mprehtë (thikë) ishte dërguar nga një qytetar për trajtim mjekësor.

Policia njofton se menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku sipas të dhënave fillestare është konstatuar se viktimë e këtij rasti është SH.K, rreth 21 vjeç.


“Nga informatat e para dhe veprimet hetimore në terren është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fillim të bulevardit ‘Ismajl Raka’, tek ura e qytetit në Kaçanik, ku viktima dyshohet se është sulmuar dhe therur me mjet të mprehtë (thikë) nga një person i dyshuar, identiteti i të cilit fillimisht nuk dihej.

Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Kaçanikut, më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për trajtim të mëtejshëm është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK)”, thuhet në raport.

Siç bëhet e ditur në njoftim Njësitet policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Si rezultat i hetimeve, është arritur të identifikohet i dyshuari J.SH., 17 vjeç, i cili rreth orës 23:50 është arrestuar nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit policorë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa hetuesit policorë vazhdojnë hetimet dhe grumbullimin e informatave edhe për persona tjerë të implikuar në këtë rast”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/