Kryeministri pa nga afër punën e zyrtarëve të kësaj qendre, e cila është në funksion 24 orë. I përgëzoi punëtorët e kësaj qendre për punën e mirë që janë duke u bërë. Thaçi po ashtu mori vesh edhe për shumën e pagave të zyrtarëve.

E, kur erdhi te pagat, kryeministri se ndali dorën as në këtë institucion, ashtu siç bëri me shumë kategori të tjera, duke u premtuar se rritje do të ketë përsëri.


“Dhe këtë punë shumë të madhe që e keni, natyrisht që qeveria e Kosovës do të punon maksimalisht që me u ja shpërblye. Ju i gëzofshi edhe rritjet e rrogave. Ju uroj suksese, juve familjeve tuaja. Të jeni të sigurt se rritje do të ketë përsëri. Ju e dini se kur themi diçka edhe e realizojmë, jo vetëm që e premtojmë. Puna që e bëni ju këtu përsëri edhe ajo rritje është e vogël në krahasim me punën e madhe që e bëni”, tha kryeministri Thaçi, transmeton KP.

Kryeministri Thaçi, theksoi se nga puna që bënë kjo qendër, sigurohen edhe të ardhurat për t’i paguar këta punëtorë. Duke uruar kështu për punën e vazhdueshme që bënë kjo qendër, Thaçi u tha atyre se është patriotizëm të menaxhosh një kësi lloj qendre.

“Ne ju inkurajojmë dhe vazhdoni edhe ne do të marrim vendime më të mira, më të drejtat të mundshme për shoqërinë tonë, për juve dhe për familjet tuaja, për të gjithë. Aq sa ka qenë patriotizëm dje me luftue për lirinë, sot është patriotizëm të menaxhohet në kuptimin e standardeve dhe kritereve evropiane”, ka thënë Thaçi.

Qendra Kufitare për Monitorimin e Kufijve është në funksion që nga viti 2012 dhe punon 24 orë. Në këtë qendër funksionojnë tri kategori, Policia e Kosovës, Doganat dhe Agjencia e Veterinës dh e Ushqimit. Kjo qendër funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Koordinatori i kësaj qendre, Samir Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se themelimi i kësaj qendre, ka pasur një ndikim të madh në parandalimin e dukurive të aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin në kufijtë e republikës së Kosovës, si është kontrabanda dhe krimi i organizuar.

E kjo qendër po ashtu monitorin edhe dy pikat më problematike, atë të Bernjakës dhe Jarinjës. Por sipas Krasniqit, me marrëveshjet që janë arritur mes Republikës së Serbisë në kuadër të protokollit me Serbinë, ka filluar të vendoset një kontroll më efektiv. /Telegrafi/