LAJMI I FUNDIT:

Thaçi – OSBE-së: Problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike

Thaçi – OSBE-së: Problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me shefen e Misionit të OSBE-së në vend, ambasadoren Nina Suomalainen, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në takim u diskutua për krizën politike në vend, si dhe për mënyrat e zgjidhjes së saj. Kryetari Thaçi e njoftoi ambasadoren e OSBE-së me qëndrimet e PDSH-së rreth situatës politike në vend dhe formimit të qeverisë së re, si dhe për pikëpamjet e PDSH-së për zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, duke theksuar se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është vazhdimi i dialogut të mirëfilltë politik me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, që kërkon një qasje të re dhe vullnet të fortë politik nga të gjitha palët, bëjnë të ditur nga kjo parti.


Kryetari Thaçi potencoi se problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, gjegjësisht të drejtat e shqiptarëve, andaj pa zgjidhjen e çështjesh së emrit dhe të marrëdhënieve ndëretnike vendi nuk ka perspektivë.

Kryetari Thaçi e siguroi Ambasadoren e OSBE-së se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit./Telegrafi/