Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në lansimin e kampanjës “Bëhu zëri im”, në përkrahje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Thaçi ka thënë se sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në konflikte, e cila synon të tërheqë vëmendjen e shoqërive dhe shteteve demokratike për këtë dukuri që e pengon ndërtimin e paqes.


35776217 1740352889417315 5564993149811556352 n

“I dimë të gjithë krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë dhe herë do kurdo do të japë përgjegjësi për to. U munduan me çdo kusht të na zhveshin prej çfarëdo vlere njerëzore, duke përdorur edhe dhunën seksuale si taktikë çnjerëzore të luftës. U munduan të na nëpërkëmbin. Madje, edhe të na turpërojnë deri te përjashtimi dhe vetë izolimi i njëri-tjetrit. Por, të jemi deri në fund të qartë: të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për atë që iu ndodhi. Ato janë viktima. Janë të mbijetuara që më shumë se të gjithë, kanë nevojë për përkrahjen e gjithë shoqërisë sonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka lexuar edhe një fragment nga rrëfimi i njërës prej të mbijetuarave të dhunës seksuale.

Edhe pse Kosova njihet për aktivitete që kanë rritur ndërgjegjësimin publik, kreu i shtetit ka thënë se duhet të bëjmë më shumë për t'i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte.

35540104 1740356179416986 8529788514231910400 n

“Duhet të bëjmë më shumë për t’i përkrahur të mbijetuarat apo mbijetuarit, duke ua kthyer besimin në vetvete. Lëndimin e tyre duhet ta shërojmë së bashku. Nderi dhe dinjiteti i tyre duhet rikthyer përmes mirëkuptimit në forcë dhe besim. Ato dhe ata duhet të kenë ardhmëri”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit është shprehur mirënjohës edhe ndaj Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë për angazhimin e tyre, por edhe ndaj organizatave të tjera, që më punë të pandalshme i kanë luftuar të gjitha paragjykimet që mbizotërojnë në shoqërinë tonë në raport me këtë grup të ndjeshëm shoqëror.

Presidenti Thaçi ka thënë se këtë mund ta arrijmë vetëm duke u bërë zë i tyre. /Telegrafi/