Tërheqja e komunave me shumicë serbe nga Asociacioni i Komunave, Ibrahimi: Presim që ky vendim të ndryshohet

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – kanë vendosur të tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Sipas njoftimeve zyrtare, këto komuna synojnë t’i bashkohen një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.
Ky vendim vjen pas rikthimit të pushtetit në katër komunat nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Serbia, pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Në seancën e parë të rregullt të kuvendeve komunale më 18 dhjetor, u zgjodhën kryetarët e rinj të kuvendeve: në Mitrovicë të Veriut – Nemanja Bisevac, në Zveçan – Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq – Marko Rakiq, dhe në Zubin Potok – Nemanja Jakshiq.
Kryetarët e rinj të këtyre komunave kishin paralajmëruar që në fillim të dhjetorit se do të rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.
Në lidhje me këtë vendim, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Telegrafin tha se shpreson që kjo tërheqje të rishikohet, pasi Asociacioni ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunave.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është një mekanizëm vullnetar, i cili punon dhe mbron interesat e autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Me vetë faktin që sot këto katër kuvende komunale nuk po hyjnë në Asociacion, nga aspekti procedural, mirëpo kuvendet komunale janë organet më të larta vendimmarrëse në nivel lokal", tha Ibrahimi.
"Asociacioni ka dyert e hapura për të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që lobimi, avokimi dhe ngritja e kapaciteteve tona të jenë më efikase dhe më efektive".
Ai shtoi se: "Besojmë që ky vendim shumë shpejt do të ndryshohet, në mënyrë që të gjitha komunat e Republikës së Kosovës të jenë anëtare të Asociacionit dhe të përfitojnë nga përfitimet që ofron. Asociacioni jonë punon për autoritetet lokale, pa marrë parasysh kush i udhëheq ato”.
Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.
Telegrafi ka kontaktuar gjithashtu edhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por deri në kohën e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/














































