Ten Hag pëson një humbje të turpshme në ndeshjen e parë te Bayer Leverkusen - mposhtet nga talentët e Flamengos

Erik ten Hag ka nisur aventurën e tij te Bayer Leverkusen në mënyrën më të keqe të mundshme, duke pësuar një humbje 5-1 ndaj ekipit nën 20 vjeç të Flamengos në një ndeshje miqësore.
Holandezi u shkarkua nga Manchester United në tetor pas një fillimi të dobët sezoni dhe kaloi disa muaj jashtë futbollit, pavarësisht interesimit të disa klubeve për ta rikthyer në stol.
Në verë, ai pranoi ofertën e Leverkusenit, kampionëve të Bundesligës 2024, pasi Xabi Alonso u largua për të marrë drejtimin e Real Madridit.
Ten Hag mori një skuadër me ndryshime të mëdha, pasi Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong janë transferuar te Liverpooli.
Ndeshja e tij e parë erdhi ndaj të rinjve të Flamengos dhe rezultati ishte zhgënjyes. Leverkusen pësoi dy gola brenda 10 minutave të para dhe shkoi në pushim me rezultatin 4-0.
Në fillim të pjesës së dytë, Flamengo shënoi edhe golin e pestë, duke thelluar edhe më shumë humbjen e gjermanëve. Leverkusen arriti të shënojë golin e nderit me 17-vjeçarin Montrell Culbreath, ndërsa edhe Granit Xhaka pati disa minuta.
Kjo humbje poshtëruese ka rritur menjëherë presionin mbi Ten Hag, i cili kërkon të ndërtojë një ekip konkurrues pas largimeve të rëndësishme gjatë verës. /Telegrafi/



































