Të rinjtë në Toronto po përballen me sigurime marramendëse për veturat, aq sa për shumë prej tyre bëhet më lirë të përdorin transportin publik ose Uber, sesa të mbajnë një makinë.

Një raport i ri nga Rates.ca tregon se kompanitë e sigurimit i kategorizojnë të rinjtë si rrezik të lartë – dhe numrat e vërtetojnë këtë.


Raporti zbulon se meshkujt nën 25 vjeç janë 73% më të prirur për shkelje serioze krahasuar me meshkujt e moshës mbi 25, ndërsa femrat e reja janë 53% më të rrezikshme se ato mbi këtë moshë.

Në përgjithësi, drejtuesit nën 25 vjeç kanë 66% më shumë gjasa të marrin gjoba për tejkalim shpejtësie.

Për pasojë, tarifat e sigurimit janë shumë të larta: një 20-vjeçar në Toronto me Honda Civic mund të paguajë deri në 13,418 dollarë në vit, ndërsa një femër e së njëjtës moshë deri në 9,607 dollarë.

Si mund të ulen kostot?

Përfundimi i një kursi të aprovuar nga MTO për drejtuesit fillestarë mund të ulë deri në 2,000 dollarë nga çmimi vjetor.

Ulje mund të ketë edhe pas moshës 25 vjeç, por jo gjithmonë është e garantuar.

Modeli i veturës gjithashtu ndikon: Consumer Reports rekomandon Honda Civic, Hyundai Tucson dhe Toyota Corolla si opsione më të lira dhe më të sigurta për drejtuesit e rinj.

Keith Barry nga Consumer Reports thotë se të rinjtë duhet të zgjedhin “një makinë që s’është shumë e madhe, as shumë e vogël, dhe jo shumë e shpejtë”, pasi është më e lirë për t’u siguruar dhe ndihmon shoferët e rinj të kontrollojnë më mirë shpejtësinë. /Telegrafi/