“Të panënshkruara dhe të neglizhuara”: Këto vepra arti janë bërë nga gratë - por, burrat morën meritën

Piktura madhështore e panënshkruar Triumfi i Bakut mbeti e paparë, e injoruar dhe e atribuuar gabimisht për shekuj të tërë, por tani krijuesja e saj, Michaelina Wautier, po çmohet me një ekspozitë të madhe në Akademinë Mbretërore në Londër. Ja kryevepra e saj - dhe katër vepra të tjera novatore të grave që më në fund po rimarrin vendin e tyre në historinë e artit.
Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi:Telegrafi.com
Në vitin 1993, ndërsa po bënte kërkime në depot e Muzeut të Historisë së Artit [Kunsthistorisches Museum] në Vjenë, historiania e artit, Katlijne Van der Stighelen, hasi në një pikturë epike të titulluar Triumfi i Bakut (1655-1959). Ajo u befasua. Si mund të kishte mbetur kaq gjatë në depo të muzeut një tablo e tillë madhështore e panënshkruar? Përgjigjja ishte se ishte pikturuar nga një grua: Michaelina Wautier.
Meqenëse gratë zakonisht përjashtoheshin nga klasat e vizatimit në natyrë, supozohej se piktura ishte vepër e vëllait të Wautierit, Charlesit. “Kur bëhet fjalë për vepra të artisteve femra, gjithmonë lindin pyetje rreth atribuimit”, thotë Van der Stighelen për BBC-në. Veprat e grave shpesh janë të panënshkruara, të neglizhuara dhe më pak të mundshme për t’u pastruar, shpjegon historiania belge e artit, dhe kështu ka “pak mundësi për të zbuluar nënshkrime ‘të fshehura’”. Arti i grave është anashkaluar për një kohë të gjatë dhe aktualisht gratë përbëjnë vetëm një përqind të koleksionit në Galerisë Kombëtare në Londër [National Gallery].
Rreth 150 vjet më vonë, ekspozita Mikaelina Votie [Michaelina Wautier], në Akademinë Mbretërore në Londër, është një kujtesë se sa e padrejtë është kjo. Është ekspozita e parë e artistes flamane në Mbretërinë e Bashkuar dhe paraqitja më e gjerë ndonjëherë e veprës së saj. Ajo është pjesë e një fenomeni më të gjerë që sheh gratë artiste duke zënë më shumë hapësirë në galeri dhe duke rimarrë vendin e tyre në historinë e artit. Hapi i parë është të pranohet se vepra është e tyre. Ja pesë kryevepra që gabimisht u janë atribuuar burrave.
Lexo po ashtu:
- Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?
- E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!
1. Triumfi i Bakut (1655-59) nga Michaelina Wautier

Triumfi i Bakut, dikur në pronësi të arkidukës Leopold Wilhelm të Austrisë, është pikturë aq e madhe dhe ambicioze saqë në fillim të viteve 1900, Gustav Glück, kurator i pikturës flamane në Muzeun Historik të Artit, deklaroi se ajo nuk mund të ishte kurrë vepër e një gruaje. Sikur të parashikonte refuzime të tilla, Wautieri e futi veten në anën e djathtë të pikturës, duke na parë drejtpërdrejt: sfiduese, si luftëtare dhe me gjoks të zhveshur.
Ndërsa vëllait të artistes iu dha gabimisht merita për këtë vepër, pikturat e tjera, disa të riatribuuara asaj vetëm së fundmi në vitin 2020, iu atribuoheshin mjeshtërve flamanë si Anthony van Dyck, veprën e të cilit Van der Stighelen po kërkonte kur bëri zbulimin e saj të papritur.
Wautier që atëherë është përshkruar si “rizbulimi më i madh artistik i shekullit”. Për Van der Stighelenin, “ajo është një artiste e jashtëzakonshme, shumëplanëshe”, gama artistike e së cilës (duke përfshirë portrete, skena historike, natyra të qeta dhe vepra nga jeta e përditshme) rivalizohej vetëm nga mjeshtri flaman Peter Paul Rubens. Triumfi i Bakut, thotë katalogu i ekspozitës, “tani vlerësohet si një nga pikat kulmore të koleksionit të pikturave të Muzeut Historik të Artit”.
2. Autoportret si Shën Katarina e Aleksandrisë (rreth 1615-1617) nga Artemisia Gentileschi

Artemisia Gentileschi, historia e së cilës frymëzoi romanin Mosbindja [Disobedient, 2023] nga Elizabeth Fremantle, ishte ende adoleshente kur filloi të pikturonte gratë e fuqishme në pikturat e saj historike dhe me ngarkesa emocionale. Vepra e saj ishte shumë e kërkuar gjatë jetës së saj, por ra në harresë kur interesi për Barokun u zbeh në vitet 1700. Më pas u supozua se ishte nga babai i saj, Orazio, ose nga miku i tij i afërt, Caravaggio - i famshëm për përdorimin dramatik të dritës dhe hijes.
Piktura Autoportret si Shën Katerina e Aleksandrisë nuk iu atribuua zyrtarisht Artemisias deri në vitin 2017. Ajo paraqet artisten si martiren e shekullit të katërt, Shën Katarinën, pranë rrotës me thumba me të cilën ajo u torturua, duke pasqyruar përvojën e Artemisias si e mbijetuar e përdhunimit, e cila u torturua ndërsa përballej me sulmuesin e saj në gjykatë. “Pikturat e Gentileschit përforcuan rolet e subjekteve heroike femërore”, shkruan Katy Hessel në Historia e artit pa meshkuj [The Story of Art Without Men, 2022], dhe i bënë temë të përsëritur “gratë që kërkojnë të hakmerren”.
Lista e veprave të njohura të Artemisias po rritet vazhdimisht. Në vitin 2020, pastrimi i Davidit dhe Goliatit zbuloi nënshkrimin e saj në shpatën e Davidit, ndërsa në vitin 2023, Suzana dhe pleqtë e Artemisias u rizbulua në Koleksionin Mbretëror. “Emri i një gruaje ngjall dyshime derisa të shihet vepra e saj”, i shkroi ajo koleksionistit Don Antonio Ruffo në vitin 1649, duke shtuar më vonë: “Unë do t’i tregoj zotërisë suaj të nderuar se çfarë mund të bëjë një grua”.
3. Çifti që feston (1630) nga Judith Leyster

Piktorja holandeze Judith Leyster ishte shumë e vlerësuar gjatë jetës së saj, por pas vdekjes së saj reputacioni i saj u zbeh nga burrat në rrethin e saj, dhe vepra e saj shpesh iu atribuua gabimisht bashkëshortit të saj Jan Miense Molenaer, ose Frans Hals, i cili besohej se ishte mësuesi i saj.
Piktura e hareshme nga jeta e përditshme, Çifti që feston, me muzikën dhe pijet që rrjedhin lirshëm, dukej se mbante të gjitha tiparet e një Frans Halsi, derisa, në vitin 1892, një tregtar arti vuri re se nën nënshkrimin e Halsit qëndronin inicialet e ndërthurura “JL” të ndjekura nga një yll (një lojë me emrin e saj që rrjedh nga fjala holandeze për “yll udhërrëfyes”). Megjithëse vepra e Leysterit rivalizonte atë të Halsit në cilësi, ajo ishte fshirë nga historia e artit pasi një mjeshtër i famshëm mashkull mund të shitej më shumë në ankand.
Karriera e Leysterit, si ajo e shumë grave në historinë e artit, ishte shumë më e shkurtër se ajo e homologëve të saj meshkuj, e ndërprerë nga kërkesat e rritjes së pesë fëmijëve dhe lehtësimit të punës së bashkëshortit të saj. Ka të ngjarë që ajo të ketë bashkëpunuar me të në disa nga pikturat e tij, por nënshkrimi ishte gjithmonë i tij.
4. “Zoti” (1917) nga baronesha Elsa von Freytag-Loringhoven dhe Morton Schamberg

Në shekujt XIX dhe XX, gratë artiste ende konsideroheshin si amatore. Në esenë e saj kryesore të vitit 1971, Pse nuk ka pasur gra të mëdha artiste? historiania amerikane e artit, Linda Nochlin, argumenton se kanoni i artit është përcaktuar prej kohësh nga një “pikëpamje mashkullore - e bardhë, perëndimore” që gëzon “pranim jokritik”.
Edhe lëvizja avangarde dada e fillimit të viteve 1900 (që sfidoi konventat borgjeze për atë që përbën artin) nuk arriti ta thyejë modelin. Ajo u përshkrua nga Paul B Franklin në Gratë në dadaizëm [Women in Dada, 1999] si një “klub ekskluziv djemsh” që i shihte gratë si “muza artistike dhe jo si pjesëmarrëse aktive”. Një nga pionieret e anashkaluara të dadaizmit ishte piktorja, skulptorja, poetja dhe artistja performuese gjermane, baronesha Elsa von Freytag-Loringhoven, e cila rruante kokën dhe e lyente atë me të kuqe dhe vishej me veshje androgjene të bëra nga materiale të hedhura.
Vepra e saj “Zoti”, një sifon hidraulik prej gusi me pamje fallusi i kthyer përmbys dhe i lidhur me një kuti për prerje këndesh, u vlerësua si një nga “readymade”-t më të hershme (objekte të zakonshme të “gjetura” të rikonceptuara si art). Ajo iu atribuua artistit amerikan Morton Schamberg - deri në fillim të viteve 2000 - kur emri i baroneshës u shtua zyrtarisht në autorësi, por pas një shekull që ishte shumë vonë për ta nxjerrë atë nga varfëria.
Disa studiues kanë argumentuar se urinori i kthyer përmbys i Marcel Duchampit, i titulluar Fontana dhe i nënshkruar “R Mutt” ishte gjithashtu vepra e saj. Irene Gammel në Baronesha Elsa [Baroness Elsa, 2002] citon letrën e vitit 1917 që Duchampi i dërgoi motrës së tij Suzanne, në të cilën ai shkruan: “Një nga mikeshat e mia, nën një pseudonim mashkullor Richard Mutt, dërgoi një urinor porcelani si skulpturë”. Gammel pohon: “Ndërsa prova përfundimtare e përfshirjes së baroneshës mund të mungojë, ka një sasi të madhe provash rrethanore që tregojnë për gjurmën e saj artistike”.
5. Nesër përgjithmonë (1963) nga Margaret Keane

Filmi biografik i vitit 2014, Sytë e mëdhenj [Big Eyes], me regji nga Tim Burton dhe me protagonistë Amy Adamsin dhe Christoph Waltzin, tregon historinë e artistes amerikane Margaret Keane, “fëmijët” kiç me sy të mëdhenj të së cilës u shitën në mënyrë të jashtëzakonshme si piktura, printime dhe kartolina në fillim të viteve 1960. Por, ato besohej se ishin vepër e një burri. Analiza e Helen Gørrillas për pesë mijë piktura, e referuar në librin e saj Pse gratë nuk mund të pikturojnë [Why Women Can't Paint, 2020], zbuloi se “kur veprat e burrave nënshkruhen, ato rriten në vlerë”, ndërsa për gratë ndodh e kundërta.
Ndërsa Margareta ishte e turpshme, bashkëshorti i saj Walteri, që fliste me rrjedhshmëri, ishte një shitës i shkëlqyer. Ai e detyroi atë ta linte të dilte në krye të biznesit të saj artistik dhe të merrte gjithë meritën për pikturat e saj, të cilat ajo i nënshkruante thjesht si “KEANE”. Pasi Margareta u divorcua nga Walteri, këmbëngulja e tij se ai i kishte bërë pikturat çoi në një përballje të jashtëzakonshme në gjykatë, ku të dyja palët u vendosën përpara një pikture dhe u kërkua ta pikturonin para gjykatësit. Walteri u ankua për një shpatull të lënduar dhe e la kanavacën e tij bosh, ndërsa fëmija me sy të mëdhenj i Margaretas, menjëherë i dallueshëm, i njohur si Prova 224, u përfundua në më pak se një orë. /Telegraf/



















































