Te Lugano besojnë që Alioski do t'i jap vlera ekipit

Ezgjan Alioski, reprezentuesi i njohur i Maqedonisë së Veriut dhe një nga futbollistët më të spikatur të gjeneratës së tij, është rikthyer në Zvicër pas një dekade, duke firmosur sërish me klubin ku shkëlqeu dikur – FC Lugano, njofton Telegrafi.
FC Lugano ka zyrtarizuar rikthimin e Ezgjan Alioskit, mbrojtësit të majtë dhe ikonës së përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, me një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2027 dhe me mundësi vazhdimi edhe përtej kësaj date.
33-vjeçari rikthehet në klubin ku u afirmua si një nga më të mirët në Superligën zvicerane gjatë sezoneve 2015/16 dhe 2016/17, duke regjistruar 54 paraqitje, 19 gola dhe 14 asistime. Këto statistika i hapën rrugën drejt Leeds United në Angli dhe më pas eksperiencave të tjera të rëndësishme në Premier League, Superligën turke me Fenerbahçen dhe së fundmi në Arabinë Saudite me Al-Ahlin.
FC Lugano e sheh Alioskin jo vetëm si përforcim me cilësi të larta teknike, por edhe si lider brenda dhomave të zhveshjes, duke ndihmuar zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe ngritjen e nivelit të skuadrës.
Te Lugano besojnë që Alioski do t'i jap vlera ekipit, ndër ata që i ka besuar shqiptarit është drejtori sportiv Sebastian Pelzer, i cili theksoi:
“Ezgjan përfaqëson vlerat dhe shpirtin e skuadrës sonë. Me karizmën dhe eksperiencën e tij, ai do të jetë një shtyllë e rëndësishme në rrugëtimin tonë sportiv.”
Rikthimi i Alioskit është pritur me shumë entuziazëm nga klubi dhe tifozët, që e kujtojnë si një nga emrat më të dashur të viteve të fundit në bianconero. /Telegrafi/

















































