“Të buzëqesh? Ti buzëqesh”: Një brez i ri yjesh po përmbys sistemin e vjetër të Holivudit me një “jo”

Nga: Priya Elan / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar pashë një video që më shtynte të ngrihesha në këmbë dhe të duartrokisja. Ishte aktorja Millie Bobby Brown duke i kthyer përgjigje një fotografi në tapetin e kuq. Paparacët po i bërtisnin të buzëqeshte, dhe Brown u përgjigj: “Të buzëqesh? Ti buzëqesh”, para se të largohej. Ajo refuzoi të bënte atë që pritej prej saj.
E njëjta histori ndodhi edhe me yllin e serialit të fundit televiziv Alien: Earth, Sydney Chandler. Aktorja nuk u shfaq në kopertinën e revistës Variety bashkë me krijuesin e serialit dhe një nga aktorët e tjerë, pasi ajo kishte refuzuar të merrte pjesë në një video-intervistë për një rubrikë të përjavshme të quajtur How Well Do They Know Each Other? [Sa mirë e njohin njëri-tjetrin?]. Intervistuesi kaloi gjysmën e artikullit të kopertinës duke shpjeguar situatën me një ton habie e kritike, duke përmendur të gjithë yjet që kishin pranuar të merrnin pjesë më parë në këtë format.
Jam i sigurt, siç e thekson edhe gazetari, se pas “rregullimit” të intervistës (procesi i gjatë i negociatave mes një reviste dhe “yjeve”), mungesa e saj ka qenë zhgënjyese. Chandler i tha atij se është “thjesht një person privat”, dhe më pas shpjegoi për Entertainment Weekly: “Jam duke kuptuar se sa shumë nga vetja ime duhet të jap, dua të jap”.
Atëherë, a i lejohet asaj të ndryshojë mendim, apo marrëveshja për të luajtur dhe bërë publicitet për një serial televiziv e përjashton këtë mundësi? Sepse, ekziston një supozim i vjetër brenda kulturës së famës se, kur bëhesh i famshëm, “nënshkruan” një sërë rregullash. Disa prej këtyre rregullave janë kontraktuale, disa janë krejtësisht subjektive dhe të kushtëzuara nga rrethanat. Por, janë jashtë kontrollit tënd.
Kam punuar në revista ku “yjet” janë larguar nga xhirimet pasi fotografi donte të bënte më shumë foto, ose kur nuk donin të filmonin video-intervistën. Zakonisht janë aktorë të brezit Z dhe, megjithëse kjo është frustruese, nuk mund të mos e përshëndes faktin që ata po thonë “jo”. Sepse, kam qenë edhe në anën tjetër të kamerës kur një fotograf, emocionalisht i pandjeshëm, të trajton si objekt dhe të bën të ndihesh bosh përbrenda, dhe i përfundon xhirimet me një shkëputje emocionale dhe shkon të qash në tualet. Nuk ndihesh sikur e ke fuqinë të thuash “jo”, sepse je ingranazh i vogël në një makineri të madhe. Kështu që thjesht vazhdon tutje me këtë.
Kam ecur gjithashtu përkrah një të famshmi, teksa paparacët ndiznin blicet në drejtimin tënd. Të duket si të jesh në një klub nate përballë ndriçuesit më intensiv stroboskopik që mund të imagjinosh. Ngrinë në vend. Por, sigurisht, duhet të vazhdosh të ecësh. Është e lehtë të kuptosh pse disa e krahasojnë këtë me të qenit gjah gjuetie.
Sidoqoftë, siç mund ta pohojë kushdo që ka parë [filmin] La Dolce Vita, marrëdhënia mes Holivudit të vjetër dhe paparacëve ka rrënjë të thella. Agjentët e yjeve bashkëpunojnë me fotografët dhe redaktorët, duke “krijuar” histori që bazohen në fotografi, ku një fotograf ftohet të shfaqet në një vend dhe kohë të caktuar. Pastaj, ylli shfaqet - për “mrekulli”! - dhe imazhet tregojnë historinë, qoftë barkun e gruas shtatzënë, një ndryshim imazhi apo prezantimi i një lidhjeje të re. Ka kohë që kjo shihet si mjet thelbësor i marrëdhënieve me publikun.
Por, dallimi mes Holivudit të vjetër dhe atij të ri është i thellë. Në festivalin e Venecias vitin e kaluar, një video - ku shfaqeshin Jenna Ortega (tani 23-vjeçare) dhe Winona Ryder (54-vjeçare nga muaji i kaluar), të cilat luanin në [filmin] Beetlejuice Beetlejuice - u bë virale. Paparacët i bërtisnin Ryderit të hiqte syzet për një foto. “Jo, s’ke pse”, i tha Ortega. Yjet më të rinj po tregohen këmbëngulës, gjë që bashkaktorët e tyre më të vjetër ndoshta as që e mendonin si të mundur. Ky ndryshim epokal është i lezetshëm për t’u parë.
Po ndryshon edhe infrastruktura e Holivudit të vjetër. Habia e Variety-së për refuzimin e Chandlerit tingëlloi pak si një plak që bërtet ndaj reve, sepse botimet e shtypit nuk kanë më fuqinë që kishin dikur. Sot një yll mund të japë një intervistë në podkast ose të postojë në Instagram-in e vet, duke siguruar kështu kontroll të plotë mbi narrativën. Dhe, është e kuptueshme duke marrë parasysh atë që ka ndodhur më parë.
“Gjithmonë kërkonim histori negative. Sepse, vuajtja shitej”, tha së fundmi gazetari i shoubizit, Dean Piper, në serinë dokumentare, Girlbands Forever. Ishte ajo periudha e errët e fotografimeve me fustanin e ngritur dhe shkarravitjeve të Perez Hiltonit - penisë të vizatuar mbi fotografitë e të famshmëve nga blogeri famëkeq i viteve 2000. “Mund të kishe një penis të vizatuar në fytyrë [nga Hiltoni]”, tha këtë javë aktorja dhe këngëtarja Hilary Duff (38) përballë podkasterit Jake Shane (26). “Çfarë?!” - reagoi Shane me habi, duke theksuar se si sjelljet e tabloidëve kanë ndryshuar nga një brez në tjetrin.
Mua më ngazëllen dhe më fuqizon ngritja e kësaj epoke të re - le ta quajmë epoka “jo, s’ke pse”. Albumi i ri i yllit të popit Jade, That’s Showbiz Baby!, reflekton mbi jetën e saj - në sy të publikut - pas fitores në The X Factor. Në këngën IT Girl, ajo ripërdor frazën tipike të Simon Cowellit nga spektakli: “Është një ‘jo’ nga unë”. /Telegrafi/

















































