Tate McRae rrëfen presionin e madh pas ndarjes nga Kid Laroi: Ishte frikshme dhe dërrmuese

Tate McRae ka folur hapur për kritikën e fortë me të cilën u përball pas ndarjes nga The Kid Laroi, në korrik, pas rreth një viti lidhjeje.
Këngëtarja 22-vjeçare pranoi se vëmendja e madhe ndaj jetës së saj private e ka ndikuar më shumë nga sa e kishte imagjinuar.
“Nuk e kuptova sa shumë do të më prekte fakti që publiku mendonte se e dinte historinë time personale. Askush nuk e di kurrë versionin e plotë të gjërave”, tha ajo për Rolling Stone, duke e përshkruar situatën si të frikshme dhe dërrmuese.

Tate shtoi se, ndonëse si ajo ashtu edhe ish-partneri i saj shprehen përmes muzikës, sapo këngët dalin në publik, ato nuk u përkasin më artistëve.
“Ky është arti ynë dhe puna jonë, por sapo publikohet, nuk është më vetëm e imja”, u shpreh ajo, duke pranuar se fama e ka lodhur emocionalisht dhe se ndihet sikur është plakur 10 vjet brenda një viti.

Në një intervistë tjetër, McRae foli edhe për krahasimet me Britney Spears, të cilat i cilëson si lajkatuese, por edhe të frikshme, duke theksuar se askush nuk mund të krahasohet me ikona të tilla.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se artistet femra shpesh nuk marrin meritat e plota për suksesin dhe vizionin e tyre krijues. /Telegrafi/

















































