Talent i rritur në Angli, Erion Zabeli kalon te Manchester 62 dhe me dyert e hapura për Kosovën e Shqipërinë

Futbollisti shqiptar, Erion Zabeli, karrierën do ta vazhdojë në kampionatin e Gjibraltarit, ku është bërë pjesë e skuadrës së Manchester 62 në Superligë.
20-vjeçari është kërkuar drejtpërdrejt nga pronari i klubit, amerikani Michael Anton Monsour, një emër i njohur në botën e kinematografisë dhe njëkohësisht pronar i klubit Pittsburgh City United FC në SHBA.
Zabelin e ka bindur projekti ambicioz i Manchester 62, ku pritet të jetë një nga lojtarët bazë të ekipit. Madje, gjatë fazës përgatitore ai ka mbajtur edhe me shiritin e kapitenit.
I rritur në akademitë e disa prej klubeve të njohura angleze si Watford, Fulham dhe së fundmi Brentford B, Zabeli shihet si një nga talentet e ardhshëm me perspektivë.
Ai mbetet i lirë të zgjedhë mes përfaqësimit të Kombëtares së Kosovës ose asaj të Shqipërisë.
Zabeli ka bërë karrierë te Brendford, Ericeirense dhe tek të rinjtë e Fulham dhe Watford.
Mbrojtësi ka luajtur me të gjitha grupmoshat për Kombëtaren e Shqipërisë. /Telegrafi/









































