LAJMI I FUNDIT:

Taksa, korporatat dhe “Plazma keksi”

Taksa, korporatat dhe “Plazma keksi”

Korporatat janë fenomen global. Disa të dhëna të vitit të kaluar na bëjmë të shohim edhe zyrtarët e lartë politikë, si shërbyes të drejtpërdrejtë apo indirektë të këtyre interesave. Madje, për dallim të zyrtarëve të lartë të vendeve të fuqishme, zyrtarët e vendeve të vogla shpesh bëhen jo vetëm shërbyes, por edhe palaço të këtyre interesave, sidomos duke i mbështjellë ato me çështje kombëtare.

Nga 100 subjektet më të mëdha ekonomike në botë, 69 janë korporata, ndërsa të tjerat janë shtete. Korporata më e madhe, “Wallmart”, sipas të dhënave të vitit 2018, zë vendin e dhjetë pas nëntë shteteve, menjëherë pas Kanadasë dhe Brazilit. Bazuar në të dhënat e Fortune Global 500, “Wallmart” është kompania më e madhe në botë me mbi 2.3 milionë të punësuar dhe me fitime prej mbi 500 miliardë dollarë amerikan dhe degë në 22 shtete.


Fuqia ekonomike e korporatave, pra i tejkalon shumë shtete. Edhe ndikimi i tyre është shpeshherë më i madh dhe më efektiv. Ndikimi i tyre jo gjithherë është legal, sidomos në vende me shkallë të lartë të korrupsionit, ku liderët lokalë nuk i shërbejnë më qytetarët që e zgjodhën, por janë shndërruar në shërbyes të korporatave.

Natyrisht, të gjitha korporatat pretendojnë se përfaqësojnë interesat edhe të vendit të vet, madje edhe të vendeve ku operojnë. Ato amerikane, me raste bien në konflikt edhe me vet interesat e përgjithshme amerikane, duke shkaktuar kështu, përmes ndërhyrjes dhe ndikimit të tyre konfuzione, edhe kaos nëpër vende të vogla, duke krijuar përmes medias dhe politikanëve të korruptuar ide se vet politika amerikane po lëvizë në këtë apo atë drejtim.

Në politikën ballkanike është parë sidomos ndikimi i korporatave globale të energjisë dhe ato të ndërtimit. Qeveritë janë ngritur dhe kanë rënë me ndërhyrjen e tyre (in)direkte!

Taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, përpos efekteve politike për të cilat pretendohet se është ndërmarrë, ka shqetësuar korporatat, sidomos ato me interesa në Serbi. SHBA-ja zyrtare së fundmi po kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë. Shpeshherë për vëzhguesit duket e paqartë në çka motivohet kjo kërkesë: në pjekjen e taksës si kushtin ka vazhdim të dialogut apo në faktin se politika serbe po ashtu është e lidhur ngushtë me interesa korporatave qoftë perëndimore apo euroaziatike.

Deklaratat e zyrtarëve amerikanë për tërheqje të taksës, disa po i interpretojnë si dobësim të përkrahjes amerikane për Kosovën, ndërsa të tjerët si kthim të saj kah Serbia, ndërkohë që krejt kjo duket të jetë e ekzagjeruar dhe e ndikuar pikërisht nga fuqia dhe qasja e interesave të korporatave te pushteti dhe mediat, më tepër sesa te lëvizjet e vet administratës. Administrata amerikane gjithsesi ka një ndjeshmëri të lartë për interesat e korporatave amerikane, edhe pse në raste individuale jo të gjitha interesat e korporatave me automatizëm përfshihen në politikën amerikane, sidomos kur nuk përfaqësojnë interesat e shumicës së komunitetit të biznesit.

Ajo që duket të jetë e vërteta kryesore është se një masë ekonomike, e mbi të gjitha politike, ndaj një shteti i cili jo vetëm se nuk na njeh, i cili në të kaluarën ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë, por edhe sot ka angazhim destruktiv politik e ekonomik ndaj Kosovës, e ka shqetësuar mikun tonë strategjik.

Ka shqetësuar edhe më shumë se administratën, grupe lobimi me rëndësi, dhe krejt kjo ka prodhuar një huti të përgjithshme. Taksa, padyshim ka prekur interesat edhe të kompanive amerikane dhe jo vetëm amerikane që kanë interesa në Serbi. Investimet amerikane në Serbi viteve të fundit kapin disa miliarda dhe ka tendencë rritjeje.

Një nga ato duket të jetë edhe korporata globale, një nga më të fuqishmet, por gjithsesi më e famshmja në botë, “Coca Cola”, e cila së voni, përmes degës së saj në Greqi, do të blejë për 260 milionë “Bambin” – zemrën e industrisë ushqimore të Serbisë, përndryshe dominuese në rajone. Ajo, në Kosovë dhe rajon është e njohur për prodhimin e produkteve ushqimore si “Plazma “ dhe brendet e të saj të “ëmbla”.

Gjithashtu, disa korporata amerikane e kanë paraparë Serbinë si bazë për investimet e tyre në rajon dhe kjo prek interesat e tyre, dhe reagimi i tyre është i dukshëm. Mungesa e ndjeshmërisë për interesat e korporatave amerikane në regjion, gjithsesi është një politikë e pakujdesshme.

Natyrisht, politika jonë pritet të ketë gjithnjë orientues të parë të interesat e qytetarëve, taksapaguesve kosovarë dhe bizneseve vendore, por edhe interesat e korporatave globale të cilat sot kanë fuqinë e shteteve dhe ngrenë ose rrëzojnë qeveri, kur u rrezikohen interesat.

Këtu dhe askund tjetër qëndron fuqia e disa liderëve, jo të pëlqyer në popull, por të cilët gjithnjë mbahen në këmbë falë makinerisë së plotfuqishme të korporatave dhe ndikimit të tyre qoftë te administrata amerikane, apo te klasa politike lokale. Të korruptuar, pa etikë, por gjithsesi shërbyes të mirë të kujtdo që paguan mirë.

Kështu, me ndërhyrjen e korporatave në rrafshin publik, edhe “Plazma” merr karakter politik, krejt tjetër prej asaj që kishte nëpër skeçet, hajgaret, barsoletat, por dhe simotrën e tyre politikën tonë folklorike.

Pastaj, “Plazma” nuk ishte ide e ëmbël serbe. Ishte ide dhe produkt italian dhe tash do të jetë edhe produkt amerikan që prodhohet në Serbi!

Sidoqoftë, edhe qeveritarët e sotëm kanë një angazhim të fuqishëm pro korporatave amerikane, qofshin ato të energjisë, ushtarake, apo minerare.

Dallimi, s’ka të bëjë me gjeopolitikën. Është veç çështje proteinash dhe… sheqeri!

Ec e merre vesh, për kë angazhohet politika jonë, anti-taksë?!