Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimet konsultative me partitë parlamentare të komuniteteve joshumicë, i vazhdoi me deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit rom, kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në një bashkëbisedim konstruktiv, Kurti dhe kryetari Kinolli diskutuan për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe thirrjes së seancës konstituive nga Presidentja e vendit.


“Të dy theksuan rëndësinë e formimit të qeverisë me kohë dhe pa vonesa, dhe gatishmërinë për bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës, Kurti veçoi promovimin dhe fasilitimin e punësimit përmes Agjencisë së Punësimit, bursat e studimit për nxënësit dhe studentët rom dhe qendrat mësimore, si dhe mbështetjen në projektet për kulturë dhe rini, si rezultate të drejtpërdrejta dhe dëshmi e përkushtimit të qeverisë për mirëqenie dhe zhvillim të gjithëmbarshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet pa dallim.

Ndryshe, Kurti gjatë ditës ka takuar edhe kryetaren e Listës së Bashkimit Demokrat, Duda Balje, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka dhe kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha. /Telegrafi/