Takimi i Barcelonës me Dinamo Kievin në dyshime të mëdha – skuadra ukrainase ka nëntë lojtarë të infektuar me COVID-19
Dinamo Kiev ka konfirmuar se do të jetë në mungesën e 13-të lojtarëve për takimin ndaj Barcelonës në rrethin e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Nëntë lojtarë të skuadrës ukrainase kanë rezultuar pozitiv me coronavirus, derisa ndeshja është në dyshime që të zhvillohet.
Takimi që luhet në Camp Nou në ora 21:00 në të mërkurën, mund të mos realizohet, shkaku i rasteve të shumta me pandeminë botërore te Dinamo Kievi.
Nga 13 lojtarët që i mungojnë skuadrës ukrainase, nëntë që janë me coronavirus, një i suspenduar dhe tre të tjera janë të lënduar.
Dinamo bëri të ditur se në testimet e fundit janë infektuar Georgy Tsitaishvili, Denis Garmash, Mikkel Duelund, Alexander Karavaev, Tudor Belutse dhe Mykola Shaparenko, derisa Buschan, Mykolenko e Boyko, ishin infektuar më parë.
Kjo gjë ka shkaktuar probleme te ukrainasit, që mund të kërkojnë shtyrjen e takimit.
E gjitha do të përcaktohet nga Barcelona nëse dëshiron t’i fitojë tri pikë në tavolinë apo takimi të shtyhet për një datë tjetër. /Telegrafi/






























