LAJMI I FUNDIT:

Sveçla kthen në punë Fadil Kodrën

Sveçla kthen në punë Fadil Kodrën

Dy muaj e gjashtë ditë pas vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për lirimin nga puna të ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Fadil Kodra, ky i fundit u kthye prapë në punë.

Ky vendim është marrë sot nga ministri Sveçla pas obligimit që ai mori nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) për ta kthyer Kodrën në punë.“Fadil Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave”, është thënë në vendimin e MPB-së.


Tutje është thënë se Kodrës do t’i kompensohet paga nga data kur ai ishte liruar nga detyra, 14 korrik 2022 deri më sot.Më 7 shtator 2022 KPMSHCK kishte anuluar vendimin e të parit të MPB-së duke e detyruar atë që brenda afatit kohor prej 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthejë ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” , ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

Përveç kësaj, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’ia kompensojë pagën nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.E gjithë kjo ka ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.

Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga Kallxo.com, është thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.

Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.

Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesën në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.

Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.

Në këto përgjigje, sipas vendimit është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.“Sipas organit të punësimit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ankuesit nuk i është cenuar ndonjë e drejtë nga marrëdhënia e punës me vendimet e konstatuar si në ankesë”, është thënë në vendim.

Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.

Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e ka cilësuar si të bazuar.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda një afati prej 30 ditësh. /Kallxo.com/