Kantautorja Suzanne Vega flet për rritjen në varfëri, shitjen e miliona albumeve dhe betejat e saj me minjtë e Nju-Jorkut.

Intervistoi: Ian Winwood / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Si më e madhja nga katër fëmijët, Suzanne Vega kujdesej për vëllain e saj të vogël që në moshën gjashtëvjeçare, ndërsa nëna e tyre dilte me dy fëmijët e tjerë për të bërë pazaret në dyqanet pranë shtëpisë familjare, në anën lindore të Menhetanit. Në raste të tilla, ajo merrte paralajmërime për rrezikun që përfaqësonin banorët më këmbëngulës të qytetit. “Mos i lejo minjtë të kafshojnë Timmyn”, i thoshte nëna. Por, si ta bënte këtë? Zgjidhja ishte të bënte sa më shumë zhurmë që të ishte e mundur.

Lexo po ashtu vargje të shkruara nga Suzanne Vega:
- Njerëzit në luftë - Kur heronjtë e marrin teposhtën

“Kaloja 20 minuta duke rrahur dyshemenë me këmbë dhe duke bërtitur ‘Ikni!’ - apo diçka të ngjashme”, më thotë Vega. “Nuk doja që ndonjëri prej tyre të dilte dhe të na kafshonte mua apo vëllain tim”. Me njëfarë hezitimi, e pyes nëse familja kishte qenë e varfër. “Mendoj se, po të kishim pasur mundësi, me shumë gjasë do të jetonim diku tjetër”. përgjigjet ajo. “Por, ne gjithmonë ishim nën vijën e varfërisë. Vetë kam qenë nën vijën e varfërisë, deri në moshën 24-vjeçare, kur nënshkrova kontratën time të parë diskografike”.

Tani, në moshën 65-vjeçare, Suzanne Vega jeton ende në Menheten, megjithëse në kushte të përmirësuara. Aktualisht është në turne për të promovuar albumin e saj të ri Flying With Angels, të parin pas nëntë vitesh. Sot, ajo më flet nga apartamenti i saj në Avenynë Medison - por, refuzon të tregojë në cilën pjesë saktësisht - një rrugë elegante që përshkon ishullin nga Jugu në Veri.

Me trafik në të dy drejtimet, kjo rrugë është e bezdisshme për ta kaluar, por një vend i mirë për të jetuar. “Në fakt”, thotë ajo, “apartamenti im është më i lirë se ai që kisha në anën perëndimore, kështu që në një farë mënyre kjo më ka dalë për mirë”.

Megjithëse me një qëndrim serioz që të kujton guvernantet e një shkolle elitare për vajza të zgjuara në fund të shekullit të kaluar, gjatë intervistës sonë 40-minutëshe, Suzanne Vega është një bashkëbiseduese tejet tërheqëse. Qesh lehtësisht dhe, me fjali të plota e të përpikta, shfaq gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që i shtrohet.

Mund ta imagjinoj fare mirë si një grua e diplomuar në ndonjë universitet elitar që punon për një botues prestigjioz në qendër të Menhetenit, ose si pronare të një lokali elegant në Tribeka. Por, çuditërisht, konteksti ku më vështirësohet ta përfytyroj është pikërisht ai përmes të cilit bota e njohu për herë të parë: si një yll i madh i muzikës pop.

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, enigma urbane e Suzanne Vegas binte në kontrast të fortë me yjet amerikanë të popit që shfaqnin gjithçka dhe mbushnin top-listat muzikore. Kënga e saj e ftohtë, por jashtëzakonisht e kapshme, Marlene on the Wall nga albumi i saj debutues i vitit 1985, e katapultoi në vëmendjen e publikut. Dy vite më vonë, Luka - një këngë që trajton abuzimin ndaj fëmijëve (besoni ose jo) - bëri që albumi i saj i dytë, Solitude Standing, të hynte në mbi pesë milionë shtëpi. E çuditshme, por në një farë mënyre logjike, është që kënga hapëse e atij albumi, Tom’s Diner, një interpretim akapela, është riintepretuar, rimiksuar ose përdorur për samplim nga më shumë se 50 artistë - përfshirë Giorgio Moroder (me Britney Spearsin në vokal), Public Enemy, Fall Out Boy, 2Pac dhe Lil’ Kim.

“E pata gjithë atë sukses në top-lista, që në fillim të karrierës - gjë që nuk e prisja, por e pranova dhe e shijova, deri-diku”, më thotë Vega. “I tejkalova pritshmëritë e mia pothuajse menjëherë. Kur u takova për herë të parë me menaxherin Ron Fierstein, më pyeti cili ishte qëllimi im. Dhe, unë i thashë: ‘Oh, të nënshkruaj një kontratë për një album’. Po mendoja ... për shtëpi diskografike të pavarura që shisnin rreth 100 mijë kopje. George Thorogood kishte shitur 100 mijë, dhe kjo ishte maja që mund të imagjinoja. Por, ai kishte ide të tjera. Tha: ‘Mendoj se mund të marrësh një kontratë me një kompani të madhe’, dhe unë reagova: ‘Vërtet’”?

Këtu, Suzanne Vega nis të qeshë. “Ai ishte, në thelb, i vetmi person që e besonte këtë. Shumë nga këshillat që mora në fillimet e mia ishin të tipit: ‘Mos lër punën e përditshme’”. Ajo vazhdon: “Ai synoi kompaninë A&M, e cila na refuzoi dy herë, para se të më pranonte më në fund - herën e tretë. Dhe, kështu mora kontratën time. Pastaj erdhën pyetjet: ‘Pse ti dhe jo unë’? Por, unë e dija që pritshmëritë [e kompanisë] për mua ishin shumë të ulëta. Prisnin të shisnim gjithsej 30 mijë kopje të albumit tim të parë. Por, vetëm në javën e parë shitëm 17 mijë. Më kujtohet që mendova: ‘Jo keq ...’ Dhe, ai album i parë më pas shiti shumë më tepër”. Në fakt, dy milionë kopje më shumë.

Në fillimet e saj, në të njëzetat, Suzanne Vega e nisi karrierën në klubet si “Gerde’s Folk City” dhe “Speak Easy.” Me kitarën në dorë, shëtiste rrugët e Griniq-Vilixhit në një kohë kur Nju-Jorku nuk ishte vend për njerëzit e butë. Disa vite më parë, në Louer-Ist-Sajdin e braktisur, grupi Ramones - vetë si minj me xhaketa lëkure - kishin bërë muzikë dhe histori në klubin “CBGB”, në rrugën Boveri. Në një koncert në Menheten, në vitin 1981, Simon dhe Garfunkel këndonin për Parkun Qendror si një vend për të cilin “thonë se nuk duhet të endesh pas errësirës.”

Duke marrë parasysh transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit në një vend relativisht të sigurt, si një njujorkeze deri në palcë, sot Suzanne Vega nuk ka shumë durim për ata që romantizojnë ditët e errëta të dikurshme. “Sipas meje, shumica e atyre që ndjejnë nostalgji për atë periudhë janë një dekadë më të mëdhenj se unë”, thotë ajo. “Ata i përkasin asaj gjenerate që erdhën nga shtëpitë e tyre të rehatshme të klasës së mesme në Long-Ajlënd ose Nju-Xhersi, dhe zbuluan botën e mrekullive të drogës dhe qirave të lira në qytet, dhe menduan: ‘Uou, sa mirë’! Ndërsa, nëse je 12 vjeçe dhe përpiqesh të shkosh në shtëpi pas shkollës, ky nuk është një kujtim i këndshëm për ta rikujtuar. Të jem e sinqertë, nuk kam ndier kurrë nostalgji për atë periudhë”.

Ajo shton: “Si një vajzë 12-vjeçare në vitet ’70 të shekullit XX, për mua Nju-Jorku ishte si në filmin Taxi Driver. Nuk kthehem prapa”!

Në stil tipik njujorkez, Suzanne Vega mbetet mosbesuese edhe ndaj presidentit të saj. Ashtu si shumë njujorkezë të një brezi të caktuar, ajo e njohu për herë të parë Donald Trumpin si një figurë të famshme lokale. Asokohe, thotë ajo, “Nuk më pëlqente, [por] as nuk e urreja, sepse thjesht nuk mendoja për të. Dua të them, nuk mendoja se ishte më i miri që kishte Nju-Jorku, por njihja njerëz që e admironin. Kisha të afërm që jetonin në Kuins dhe që më thoshin vazhdimisht se duhej të mendoja të shpërngulesha në pronat e Trumpit atje, por kjo nuk më tërhiqte aspak. Nuk ishte mënyra si isha rritur. Jam rritur për të qenë artiste, ndaj e gjithë ajo çështje me Trumpin më dukej si diçka tjetër që ndodhte diku tjetër”.

Po tani që ai është kudo, gjatë gjithë kohës? “Ai nuk është njeri i mirë”, thotë ajo. “Dhe pikërisht kjo, sipas meje, ka krijuar gjithë këtë antipati ndaj tij”.

“Për një arsye a tjetër, duket sikur gjërat janë zhvendosur gjithnjë e më larg nga qendra”, më thotë Vega. “Jemi në një epokë ku e vërteta po vihet në dyshim, shkenca po vihet në dyshim, vetë ideja e fakteve po vihet në dyshim. Toka po lëkundet nën këmbët tona. Prandaj, duhet të kthehemi në vendin ku faktet dhe e vërteta kanë rëndësi”.

“Duhet të kthehemi aty, sepse nëse i bazon të gjitha veprimet e tua mbi gënjeshtra, atëherë do të përballesh me pasoja. Nëse dikush të thotë, ‘Oh, mund të hidhesh pa problem nga dritarja e katit të tetë dhe të fluturosh’ ... nuk ka rëndësi çfarë beson ti, çfarë mendon, apo çfarë të ka thënë dikush tjetër - do ta kuptosh vetë që nuk mundesh. Kjo është e provueshme”.

“Në kohë të tjera, këta njerëz do të ishin në periferi”, vazhdon ajo. “Do të konsideroheshin të çmendur. Ndoshta 10 ose 20 për qind e njerëzve do të bërtisnin e do të llomotisnin, dhe shumica nuk do t’i dëgjonte”.

Në tërësi, suksesi i saj i vazhdueshëm nuk është aspak i keq për një vajzë të re të rritur në kushte të vështira financiare, në rrugët e rrezikshme të Menhetenit. Në shtëpinë familjare, në Harlemin spanjoll, mbështetja vinte nga një nënë që i thoshte të ndiqte ëndrrat e veta, por duke u siguruar që të paguante faturat, si dhe nga njerku që besonte se, në një botë të çmendur, të jesh artist është puna më e arsyeshme që mund të bësh.

Jo se ishte e lehtë, natyrisht - veçanërisht kur pjesë të mëdha të vendit ndiheshin (për ta thënë butë) të paqartë në lidhje me vendin që ajo e quante shtëpi. Gjatë turneve të saj të hershme nëpër Shtetet e Bashkuara, në disa mbrëmje, kur njoftonte se ishte kantautore nga Nju-Jorku, e priste heshtja. Herë pas here, madje njerëzit e fishkëllenin.

Dhe, ndonjëherë, disa ende e bëjnë këtë. Jo se Suzanne Vega shqetësohet për këtë, kuptohet. “Në një farë kuptimi, nuk ka rëndësi”, thotë ajo. “Do ta bëj të njëjtin repertor, qoftë kur më fishkëllejnë apo më duartrokasin që jam nga Nju-Jorku. Unë gjithsesi do të vazhdoj”. /Telegrafi/