Suspendohet Mourinho dhe gjobitet Roma për sjelljen në finalen e Ligës së Evropës

UEFA e ka gjobitur Romën dhe e ka pezulluar Jose Mourinhon për katër ndeshje për shkak të sjelljes së tij në finalen e Ligës së Evropës.
Giallorossët krijuan epërsi ndaj Sevillas, mirëpo një autogol nga Gianluca Mancini, i barazoi shifrat dhe e dërgoi ndeshjen në penallti, të cilën e fituan andaluzianët.
Mourinho nuk e pranoi humbjen mirë dhe ishte xhiruar duke e ofenduar gjyqtarin Anthony Taylor në një parking automjetesh pas ndeshjes.
Gjyqtari anglez më pas kishte qenë subjekt ofendimesh nga tifozët e Romës në aeroport gjatë kthimit në shtëpi.
Sot (e mërkurë) është njoftuar se strategu portugez është suspenduar me katër ndeshje nga garat e UEFA-s që do të thotë se do të mungojë në katër takimet e para të Giallorossëve në Ligën e Evropës në edicionin e ardhshëm.
Në anën tjetër, Romës i është shqiptuar gjoba prej 50.000 eurosh dhe i është ndaluar shitja e biletave në një ndeshje si mysafir, për shkak të pranisë së fishekzjarrëve në tribuna, hedhjes së gjësendeve, akteve të dëmtimit kriminal dhe shqetësimit të përgjithshëm të turmës.












































