Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në rastin e Sami Lushtakut.

PZAP e kishte rrëzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për “nxitje të urrejtjes” nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), në lidhje me një deklaratë të kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.


Lushtaku, në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ishte shprehur se: “Unë mendoj që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë dhe duhet me kërku që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk e respektojnë Prokurorinë, unë mendoj se ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”.

LVV u ankua në Gjykatë Supreme ka kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së, duke kërkuar anulimin e atij vendimi, dhe të urdhërohet PZAP që të shqiptoj gjobë ndaj Sami Lushtakut dhe PDK-së.

Supremja thekson se në përgjigjen e saj në PZAP, PDK kishte thënë se ka shpërndarë udhëzimet për të gjithë anëtarët e saj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si masë që të mos përdoret gjuha fyese dhe kërcënuese.

Për deklaratën e Lushtakut, PDK kishte thënë se duhet të shihet si thirrje për veprime qytetarë për të kërkuar respektimin e institucioneve.

PZAP-ja në vendimin e saj ka konstatuar se ankesa është e pabazuar dhe se kjo deklaratë nuk i është drejtuar asnjë personi konkret apo ndonjë subjekti politik dhe mbi këtë arsye nuk ka gjetur shkelje të rregullave zgjedhore në dëm të ndonjë subjekti politik.Po ashtu, ky institucion kishte përmendur si arsye për refuzimin e ankesës edhe nuk janë ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse për pretentimet e ankesës.

“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes, i pranon si të themelta konstatimet faktike dhe qëndrimin juridik të PZAP-it, që ka marrë sipas vendimit të ankimuar lidhur me shkeljet e pretenduara të Subjektit Politik LVV, të përshkruara më sipër, me që vendimi i të njëjtit organ nuk është i kundërligjshëm, është i bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht, në dispozitat e sipër cituara ligjore” – thuhet mes tjerash në aktgjykimin e Supremes.

Supremja po ashtu, konstaton se ankuesi, në këtë rast LVV nuk ka arritur të vë në dyshim vendimin e PZAP-së.

Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Supreme mund ta qasni në këtë vegëz.Zgjedhjet Lokale do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).