LAJMI I FUNDIT:

Sulmi terrorist në veri, Rohde: Gjermania ia ka bërë të qartë Serbisë se duhet t’i përkrahë hetimet

Sulmi terrorist në veri, Rohde: Gjermania ia ka bërë të qartë Serbisë se duhet t’i përkrahë hetimet

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nuk u organizua nga qytetarë të pakënaqur, por ishte planifikuar të shkaktonte kërdi dhe ishte i përgatitur me metoda ushtarake.

Ai ka thënë se Gjermania ia ka bërë të qartë Serbisë se duhet t`i përkrahë hetimet lidhur me këtë sulm.

Ambasadori në intervistë për RTK Rohde ka folur edhe për procesin e dialogut duke deklaruar se ai nuk mund të shpërqendrohet me sulme terroriste dhe se palët duhet të flasin mes vete dhe t’i zbatojnë marrëveshjet.


Dy javë më parë, Kosova ishte temë goxha e rëndësishme në botë, për shkak të atyre që ndodhën në veri të Kosovës. Ka rrezik të humbet vëmendja për shkak të asaj që po ndodh në Lindje të Mesme?

Rohde: E dini, jemi në mes të shumë konflikteve lokale, e shihni se çfarë po ndodh në Armeni e Azerbajxhan, në Karabah, e shihni edhe konfliktin në Lindje të Mesme, tash këtë sulm terrorist, por mund t’ju siguroj që jemi të fokusuar në përpjekjet për të gjetur zgjidhje edhe për këtë konflikt të pazgjidhur. Të premten e kaluar pati një mbledhje të ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa të hënën e ardhshme e kemi Samitin, pra kancelari im do të vijë, liderët e tjerë do të vijnë, si dhe do të vazhdojmë ta mbështesim, edhe t’ju përkujtojmë njerëzve, që në fakt, protagonistët kanë përgjegjësi që të përmbahen nga dhuna, si dhe të gjejnë zgjidhje.

Tashmë kanë kaluar dy javë nga sulmi në Banjskë. Në Prishtinë është quajtur po ashtu sulm terrorist. Është edhe për Gjermaninë, sulm terrorist?

Rohde: BE-ja e ka klasifikuar, e ka quajtur sulm terrorist. I dërguari ynë për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur kështu, edhe unë vetë e kam përdorur atë term. Ka qenë sulm vrastar, qyqar, kundër policëve në detyrë, si dhe kemi kërkuar dënimin e kryerësve të tillë. Shpresoj që kjo të ndodhë, derisa ne kemi kërkuar qartë nga Serbia që t`i përkrahë hetimet transparente, si dhe t`i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie.

Po, por Serbia po bën diçka tjetër. E arrestuan Radoiçiqin, por e liruan pas pak orësh.

Rohde: Po, e kemi parë këtë, e kemi marrë në dijeni, si dhe mendoj që ende po grumbullojmë provat. Nuk ka përfunduar ende. E shohim gati çdo ditë, edhe ministri i Brendshëm i Kosovës publikon zbulime të reja çdo ditë, besoj që është ende tejet herët, por ministrja ime, ministrat e Jashtëm, të premten i kanë thënë qartë ato që presim nga Serbia, që të marrë pjesë në hetime transparente, t`i zbusë tensionet.

Po, por a besoni që Serbia do të jetë transparente në hetime?

Rohde: Po, kjo është pritshmëria që ne kemi! Nëse nuk është transparente, mund të ketë pasoja. Por, nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë. E keni parë deklarimin e qartë, sepse ky sulm vrastar më 24 shtator ishte një pikë e qartë kthese, si dhe dimension i qartë i armatimit që u gjend, siç e kam thënë në një intervistë tjetër, këta nuk ishin thjesht qytetarë të pakënaqur, ky ishte sulm me metoda ushtarake për të shkaktuar kërdi.

Kush mendoni se ishte prapa këtij sulmi, prapa atij grupi?

Rohde: Besoj që nuk ka nevojë të mendoj unë, kryerësi, Milan Radoiçiqi vetë e ka thënë që ka qenë prapa atij sulmi.

Po, por kush qëndron prapa Milan Radoiçiqit?

Rohde: Struktura të caktuara, me gjasë në Serbi. Me gjasë, sepse nuk e di, siç e thashë, ende ka prova që duhen gjendur. Por, armatimi me siguri nuk ka ardhur nga Hëna.

A mendoni që edhe presidenti i Serbisë është prapa kësaj? Sepse para dy ditësh, ai tha që Radojiçiqi është aleat i afërt i tij, por që nuk do ta ekstradonte në Kosovë.

Rohde: Atëherë, po pyesni për dy gjëra krejt të ndryshme. Ajo që presidenti i Serbisë ka thënë, si dhe çfarë mendoj unë. Presidenti ka thënë po ashtu që nuk ka ditur asgjë për sulmin, kështu që deklarata e tij është që nuk është i përfshirë. Siç e kam thënë tashmë, është vështirë të spekulohet, duhen mbledhur provat, e pasi t`i kemi të gjitha provat, e pjesë e kësaj është edhe fakti nëse Serbia ndjek rrugën e BE-së dhe të NATO-s, për të marrë pjesë në ato hetime, atëherë mund të marrim vendimet tona, përfshirë ato politike.

Pra, ju po thoni që nuk ka ende prova të mjaftueshme për të konstatuar që Serbia qëndron prapa atij sulmi?

Rohde: Po. Nëse jemi ende në proces, duhen mbledhur provat, duhen vlerësuar ato prova, pastaj edhe duhet të merret vendimi politik, sa po kontribuojnë të dyja palët, ta themi kështu, në sigurimin e atyre provave. Deri më tash, nuk mund t’ju jap ndonjë rezultat përfundimtar, si dhe nuk është se çoj diku, nëse vazhdoj të spekuloj. Por, ka kërkesa të qarta për Serbinë, si dhe prapë, sulmi ka qenë i paprecedentë, ndërsa ne e kemi thënë tejet qartë që Policia e Kosovës ka kryer punën në mënyrë tejet profesionale më 24 shtator.

Po, por të flasim për disa detaje, sepse Policia e Kosovës ka publikuar disa pamje nga të cilat shihet që ky grup që ka sulmuar veriun e Kosovës është trajnuar në Serbi, në Kopaonik, a nuk është kjo provë e mjaftueshme që Serbia është prapa kësaj?

Rohde: I kam parë edhe unë pamjet, por qeveritë nuk marrin vendime në bazë të asaj që shohin në media sociale, qeveritë marrin vendime në bazë të provave që jepen nga qeveritë, qeveri për qeveri, nuk bëj gjykime vetëm në bazë të videove që shoh në media sociale. Mund të ketë edhe lajme të rreme, kur doli lajmi që Milan Radoiçiqi gjendet në manastir, si dhe më vonë doli dhe e pranoi, në rregull. Por, hetimet profesionale nënkuptojnë që qeveritë u ofrojnë qeverive të tjera prova të plota. Kjo do të thotë se duhet të kryhet puna e plotë policore, e kjo duhet të kryhet plotësisht. Pra, ju lutem të mos më kërkoni të gjykoj në bazë të video-xhirimeve në media sociale.

Nuk po flasim për media sociale, ishte një konferencë shtypi e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, si dhe e ministrit të Punëve të Brendshme në Kosovë. Për këtë flas, jo për media sociale.

Rohde: Po, por prapë, nuk e di se çfarë kanë hetuesit, nuk jam polic, se çfarë provash janë dorëzuar. Këto prova duhen vlerësuar, e unë nuk jam pjesë e kësaj. Do t`ju kërkoja që të keni edhe pak durim, e di që është e vështirë pas këtij vikendi, e mbaj mend që flisnim me kolegë që nuk arrinin të flinin më 25 shtator e tutje, sepse kthehen të gjitha kujtimet e konfliktit të plotë. E kam krejtësisht të qartë, por para se të dalim me konstatime, duhet të jemi plotësisht të sigurt.

A po flisni për hetime ndërkombëtare, a është kjo e domosdoshme, që të ketë hetime ndërkombëtare?

Rohde: Kjo është kërkuar nga Qeveria e Kosovës, po ashtu, unë jam i fundit që jam kundër një hetimi ndërkombëtar. Nëse kjo do të hidhte më shumë dritë mbi rastin, pse jo?

Ju pritët reagimin e Listës Serbe, ndërsa ata reaguan pas tri ditësh. Si e patë reagimin e Listës Serbe?

Rohde: Reagimi doli pasi fola unë, kjo për mua nuk është fort bindëse, ajo që ata kanë thënë. Në fund, prapë kemi agjenci ligjzbatuese, Policinë e Kosovës, ndërsa kryerësit lartësohen si heronj apo martirë, e kjo është paksa absurde, kjo ndodhi edhe dje për shembull në Berlin, ku disa vendorë atje e festonin sulmin e Hamasit kundër Izraelit. Kjo është tërësisht absurde, do të thosha unë, si dhe brengosëse.

T’i kthehemi 24 shtatorit, atij mëngjesi, sepse atë ditë e takuat kryeministrin. Në atë mëngjes, çfarë po mendonit, çfarë po ndodhte në mendjen tuaj atë ditë?

Rohde: Pasdite, kur aksioni policor ishte ende në vazhdim, besoj që biseduam shumë për atë që e thashë më parë, që Policia kishte kryer punë profesionale, si dhe ajo që ishte po aq e rëndësishme, në koordinim tejet të afërt me reaguesin e dytë dhe të tretë, EULEX-in dhe KFOR-in.

Ishit edhe ju të angazhuar drejtpërdrejt?

Rohde: Unë? Jo.

Po mendoj Gjermania, si aleate?

Rohde: Jo, ishte përgjegjësi e qartë e Policisë së Kosovës, Policia është agjencia ligj-zbatuese përgjegjëse për të gjithë Kosovën, ndërsa EULEX-i ishte në monitorim të situatës.

Tani Kosova po kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të marrë vendim për ta sanksionuar Serbinë. A pritet shpejt ndonjë vendim për sanksione ndaj Serbisë?

Rohde: Nuk mund t’ua them këtë. Mund ta përsëris edhe një herë që sapo të jenë mbledhur e ofruar prova, mund të ketë pasoja, por nuk mund ta parashikoj të ardhmen.

Po, por ju thatë disa herë që duhet të ketë zgjidhje politike. Pas asaj që ndodhi më 24 shtator, ka ndryshuar çdo gjë?

Rohde: Unë jam ai që u përgjigjem pyetjeve, por që unë do t’ju pyesja juve, as sulmi më i tmerrshëm terrorist nuk e ndërron çështjen themelore, që duhet zgjidhje politike për konfliktet e pazgjidhura. Pra, Kosova, Serbia, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duan të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Tani ta kufizojmë këtë te Kosova dhe Serbia, për të arritur hyrjen në BE, siç e ka thënë kancelari ynë javën e fundit, vitin e fundit, është e paimagjinueshme që të hyjnë në BE dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Pra, anëtarësimi kërkon normalizimin, ndërsa normalizimi kërkon bisedime mes vete, e bisedimet do të thonë që duhet të angazhohen në dialog palët, konkretisht, edhe në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, e këto përbëhen nga disa hapa. Për Kosovën, do të thotë fillimi i implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për Serbinë kërkon njohjen de-fakto në disa hapa. Nëse nuk arrijmë atje, si mund të arrijmë në zgjidhje politike, pastaj në normalizim, e dikur edhe tek anëtarësimi? Pra, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspekt.

Unë mendoj që ka ndryshuar, në Kosovë, për shembull, presidentja dhe kryeministri kanë thënë që së pari duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë e pastaj dialog, jo në drejtim tjetër. Pra, është e vështirë të vazhdohet me dialog tani?

Rohde: Mund të kërkosh gjëra, por sapo e shtrova atë që është rruga përpara. Është vështirë të kërkohet nga 27 shtete që të bëjnë diçka për të bërë ti diçka, mund ta kërkosh, por që nuk është fort realiste. Normalizimi prapë nënkupton të flitet midis palëve, të gjendet zgjidhja, si dhe implementimi i marrëveshjes së Ohrit është, për bindjen tonë të qartë, rruga drejt normalizimit. Sepse i kërkon palës tjetër që t`i njohë dokumentet, t`i këmbejë misionet e përhershme, të ndalet nga pengimi i Kosovës në anëtarësimin e saj në cilëndo organizatë ndërkombëtare, si dhe sigurisht kërkon edhe përmbajtje nga retorika nxitëse, sepse kjo vazhdon.

Ju flisni për Asociacionin, por a nuk ka vërtetuar sulmi i fundit që Asociacioni në fakt nuk është për serbët lokalë, por për bandat kriminale, si dhe grupet kriminale?

Rohde: Unë jam tërësisht kundër shpërqendrimit të procesit të dialogut me anë të sulmit terrorist. Prapë na duhet zgjidhja politike, si dhe jam i bindur që shumica e njerëzve, qofshin ata shqiptarë apo serbë të Kosovës, boshnjakë a të tjerë, duan të jetojnë në paqe, apo siç e ka deklaruar Qeveria e Kosovës, kur ka marrë pushtetin, punë dhe drejtësi. Kur ke klimë konstante të krizave, atëherë nuk ndihmohet askush, as shumica e as pakicat.

Jeni optimist që dialogu do të vazhdojë pa sanksione ndaj Serbisë?

Rohde: Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por vetëm mund ta përsëris që nuk mund të bëhen kërkesa absolute. E kuptoj plotësisht qëndrimin që ky sulm vërtet nuk lejon më atë vazhdimin e zakonshëm, si dhe kemi parë shumë komente, e kam parë të dërguarin e posaçëm Lajçak, që ka thënë që masat duhet të hiqen. Pra, ka një ndryshim, por për ne, ekuacioni themelor, e këtë e ka thënë edhe ministrja ime të premten, mund të mos keni dëshirë ta dëgjoni, por që Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë të flasin mes vete, si dhe të fillojnë implementimin e marrëveshjeve.

Po, por që duhet të vazhdojnë të shkojnë në dialog, si dhe të implementojnë marrëveshjet, por së pari duhet të ketë ndëshkim për Serbinë. Për këtë po pyes, nëse bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, do të vendosin sanksione ndaj Serbisë së pari, e pastaj të shohin nëse ka mundësi për dialog.

Rohde: Ju po më bëni prapë pyetjen e njëjtë, ndërsa unë vetëm mund të jap përgjigjen e njëjtë. Nuk mund të parashikoj të ardhmen, por nuk mendoj që është realiste të imponohen ultimatume ndaj lehtësuesit, duhet të flisni me njëri-tjetrin, derisa hetimet vazhdojnë.

Po, por presidentja Osmani, por edhe kryeministri Kurti kanë thënë që z. Lajçak nuk është neutral në procesin e dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë që Lajçak ka marrë anën e Serbisë. Si e shihni këtë?

Rohde: Për ne, lehtësuesi Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë Borrell e kanë mbështetjen tonë. Kanë bërë përpjekje të mëdha këto vite, si dhe nuk mendoj që është e mençur të goditet ndërmjetësuesi. Për momentin, kemi një situatë të vështirë, por të jeni të sigurt që Lajçaku ka përkrahjen e plotë të BE-së.

Po, ka përkrahjen e plotë, por a është neutral në këtë proces dialogu?

Rohde: Ndryshe, nuk do të mund të ishte ndërmjetësues.

Pra, Gjermania e përkrah.

Rohde: Po, ne e përkrahim. Keni mundur ta shihni besoj, edhe para sulmit, që BE-ja, që në thelb lehtëson procesin, në deklaratën e 18 shtatorit edhe një herë ka theksuar ato që priten nga Kosova dhe nga Serbia. Serbia është kritikuar sepse nuk ka implementuar udhërrëfyesin për energjinë, si dhe për ngacmimin ndaj policëve, por kemi thënë që edhe Kosova nuk ka implementuar disa gjëra që i janë kërkuar që nga 3 qershori.

Tani është situatë e vështirë, si dhe do ta shohim se si dialogu do të ecë tutje. A ka ende rrezik për destabilizim në veri të Kosovës, ndonjë sulm tjetër?

Rohde: Prapë, 24 shtatori ka ndryshuar gjëra edhe në mënyrën që keni parë, se si KFOR-i ka reaguar. Ndoshta në anën tjetër, keni vërejtur që kemi rritur edhe numrin e forcave të KFOR-it. Gjermania tashmë po mendon për dërgimin e trupave shtesë. Kjo nuk bëhet për të “ndërkombëtarizuar” veriun e Kosovës, siç të tjerët mund të kenë dëshirë ta thonë, është thjesht përforcim i pranisë së KFOR-it, si dhe për të siguruar që këto sulme të mos ndodhin më, por edhe për të treguar solidaritet me Kosovën. KFOR-i ka një mandat, e tash është edhe më i pajisur për ta implementuar këtë mandat sa më parë. Në anën tjetër, Kosova ka përkrahjen tonë, pra nga Gjermania, Kosova është vend sovran, si dhe duam që ju të jeni pjesë e familjes evropiane sa më shpejt që është e mundur. Sa më pak konflikt të ketë dhe sa më shumë dialog politik, aq më të mëdha do të jenë gjasat që ky proces të shkojë më shpejt. Kemi parë fatkeqësisht në vitet e fundit që nuk ka pasur fort progres, këtë e kam thënë në disa intervista, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është ballafaquar me migrim, e kur jetoni në kriza të vazhdueshme, shumë njerëz thjesht i paketojnë gjërat dhe ikin. Pra, Evropa nuk po vjen tek ata, ata po shkojnë drejt Evropës. E njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën.

Por, cili është reagimi i Gjermanisë ndaj deklaratave që KFOR-i duhet të marrë kontrollin mbi veriun e Kosovës?

Rohde: Mandati i KFOR-it është i qartë. KFOR-i reagon vetëm pas kërkesës nga ana e Kosovës. E keni parë më 24 shtator, Policia e Kosovës e ka menaxhuar situatën në mënyrë profesionale, EULEX-i ka qenë në vend, duke monitoruar, por nuk ka pasur kërkesë nga Kosova, Qeveria, që të ndërhyhet. Kjo është nga ato gjërat ku të dyja palët janë në të njëjtën anë, Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë, për arsye të ndryshme, e mirëpresin praninë e rritur të KFOR-it.

A jeni ende në pritje të zgjedhjeve në veri të Kosovës?

Rohde: Kjo është pjesë e shtensionimit, që të largohet policia nga zyrat e komunës, që kryetarët të veprojnë në hapësira alternative, si dhe të fillojë procesi i zgjedhjeve.

Edhe pas 24 shtatorit? Pritet e njëjta gjë?

Rohde: Flasim për shtensionimin, flasim për një situatë të zgjedhjeve ku marrin pjesë të gjithë, se si arrihet deri tek ajo, mos më pyesni mua.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Shërbyesve civilë përvoja e punës po u paguhet më pak

Shërbyesve civilë përvoja e punës po u paguhet më pak

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Kalo në kategori