Sulm me thikë në Roterdam, policia kërkon ndihmën e dëshmitarëve

Policia në Roterdam të Holandës po bën thirrje për dëshmitarë të një sulmi me thikë në të cilën një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë.
Bëhet e ditur se një burrë 32-vjeçar nga Holanda u vra dhe një 33-vjeçar nga Zvicra u plagos rëndë në një sulm me thikë pranë urës historike Erasmus, ka njoftuar policia në një deklaratë.
Një i dyshuar u arrestua në qytetin port holandez së fundmi pasi u rrethua nga publiku dhe policia.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë informatë për motivin e sulmit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
"Është pjesë e hetimit”, tha zëdhënësi i policisë, Wessel Stolle.
Siç raportohet, i dyshuari është një burrë 22-vjeçar nga qyteti qendror holandez i Amersfoort, i cili thuhet se sulmoi viktimat me dy thika të mëdha.
Në përputhje me udhëzimet holandeze të privatësisë, policia nuk ka publikuar identitetin e të dyshuarit apo viktimave të therjes me thikë.
Një instruktor sporti, Reniël Renato David Litecia, tha se ai e goditi sulmuesin me dy shkopa pasi e pa atë të sulmonte dikë dhe arriti të merrte thikat dhe t’i hudhte ato.
Ai tha se fillimisht mendoi se ishte një përleshje, "por kur shkoi në atë drejtim, e pa që nuk ishte përleshje”.
“Ishte një burrë me dy thika të gjata që po godiste me thikë një djalë tjetër të ri dhe kur unë fillova të bërtisja, ai u kthye dhe filloi t'i afrohej të gjithëve që ishin rreth tij", tha Litecia.
Një tjetër zëdhënës i policisë, Kristel Arntz, tha se i dyshuari besohet të ketë sulmuar edhe një tjetër person në një parking nëntokësor. /Telegrafi/


































