Suhareka pret edicionin e 24-të të manifestimit tradicional “Festari”

Suhareka, 15 shtator 2025 – Komuna e Suharekës do të jetë nikoqire e edicionit të 24-të të manifestimit tradicional “Festari”, që këtë vit do të zhvillohet nga 15 deri më 20 shtator 2025.
Përmes një njoftimi publik, kryetari i komunës, Bali Muharremaj, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë aktivitet gjithëpërfshirës, ku do të jenë të pranishëm artistë, sportistë, shkrimtarë dhe figura të tjera të njohura nga fusha të ndryshme të jetës publike.
“Nga 15 deri më 20 shtator, Suhareka do të bëhet zemra e festës që na identifikon të gjithëve. Ky edicion i 24-të do të pasurohet me artistë, sportistë dhe shkrimtarë, duke sjellë kulturë, gjallëri dhe një atmosferë unike për qytetin tonë,” ka deklaruar kryetari Muharremaj.
Festari është një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në Suharekë, që promovon vlerat lokale dhe bashkëpunimin mes qytetarëve dhe artistëve. /Telegrafi/


















































