Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, u hodh shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë Së Veriut për këtë sezon, njofton Telegrafi.

Katër skuadra, Shkëndija, Struga Trim & Lum, Vardari dhe AP Brera – do të luftojnë për një vend në finalen e madhe. Shorti rezervoi një duel të veçantë, ku kampionët në fuqi të Maqedonisë, Struga Trim & Lum, do të përballen me liderin aktualë të kampionatit, Shkëndijën e Tetovës. Ky takim premton spektakël, pasi të dyja skuadrat janë ndër më të fortat e këtij edicioni.


Në gjysmëfinalen tjetër, Vardari pati fatin më të madh në short, duke u përballur me ekipin e AP Brera, e cila konsiderohet si kundërshtari më i lehtë i kësaj faze.

Kjo fazë do të zhvillohet me dy ndeshje, ku secila skuadër do të ketë mundësinë të luajë në fushën e saj. Sfida e parë është planifikuar të luhet më 9 prill.

Nga katër ekipet gjysmëfinaliste, vetëm Struga ende nuk e ka fituar trofeun e Kupës, ndërsa më i suksesshmi në këtë garë mbetet Vardari, me pesë tituj. Megjithatë, ekipi nga Shkupi nuk e ka fituar këtë titull  që prej vitit 2007.

Përballja mes Strugës dhe Shkëndijës pritet të jetë më e nxehta e kësaj faze, duke parë formën e lartë të të dy skuadrave. A do të vazhdojë dominimi i kuqezinjve të Tetovës, apo Struga do të shkruajë historinë në këtë garë, mbetet të mësohet pas dy dueleve gjysmëfinale. /Telegrafi/

telegrafi sport app