Stilistja e njohur shqiptare, Yllka Brada, është përballur me një ngjarje të pakëndshme të shtunën pasdite, teksa vetura e saj është thyer dhe sendet personale i janë vjedhur.

Përmes një postimi në InstaStory, ajo ka ndarë përvojën e saj, duke shprehur zhgënjimin ndaj reagimit të institucioneve përgjegjëse.


Brada ka treguar se pas incidentit ka pritur për orë të tëra që një hetues të mbërrinte në vendin e ngjarjes, por ka marrë vetëm një dokument formal, pa ndonjë ndihmë konkrete.

“Te shtunën pasdite, në vendin e punës, ma kanë thyer veturën dhe më kanë vjedhur të gjitha gjërat personale! Katër orë kam pritur që të vijë hetuesi në vendin e ngjarjes dhe vetëm më ka lëshuar një letër të pavlerë! Sot, që dy orë, ende jam duke pritur që të dalë dikush për të më dhënë një vërtetim që më janë vjedhur dokumentet! Do të thotë, miq, shtet i lodhur!!! Faji mbetet i askujt, dëmi i imi, siguria iluzion, e humbja e kohës dhe nervave – gjë normale”, ka shkruar ajo.

Ky rast ka nxitur reagime në rrjetet sociale, me ndjekësit e stilistes që i kanë shprehur mbështetjen e tyre, ndërsa një pjesë tjetër kanë kritikuar mungesën e efikasitetit të institucioneve në raste të tilla.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse policia ka nisur ndonjë hetim për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. /Telegrafi/