Stephen King tërhiqet dhe kërkon falje pas akuzave ndaj Charlie Kirk

Stephen King ka kërkuar falje publike pasi u përball me kritika të ashpra për një postim të gabuar në rrjetin X (ish-Twitter), ku akuzonte aktivistin konservator Charlie Kirk se kishte mbështetur dënimin me gurë të homoseksualëve.
Shkrimtari 77-vjeçar e fshiu shpejt mesazhin, i cili kishte marrë mbi 13 milionë shikime, duke pranuar se kishte shpërndarë “informacione të pavërteta” pa i verifikuar.
Reagimi ndaj tij ishte i menjëhershëm. Senatorë si Ted Cruz e quajtën King “të ligë” dhe “gënjeshtar”, ndërsa figura të tjera konservatore, përfshirë Laura Ingraham dhe Dave Rubin, e kritikuan ashpër, shkruan DailyMail.

Në një përgjigje publike, King tha: “Kërkoj ndjesë që thashë se Charlie Kirk mbështeste vrasjen me gurë të homoseksualëve. Ajo që ai në fakt demonstroi ishte se si disa njerëz zgjedhin me kujdes pasazhe biblike”.
Debati shpërtheu vetëm dy ditë pas vrasjes së Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje gjatë një fjalimi në Universitetin Utah Valley.

Aktivisti 31-vjeçar, themelues i organizatës Turning Point USA dhe një aleat i afërt i Donald Trump, la pas gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Policia konfirmoi se një 22-vjeçar nga Utah, Tyler Robinson, është marrë në paraburgim si i dyshuari kryesor.
Përveç polemikave ndaj King-ut, vdekja e Kirk-ut ka shkaktuar një valë reagimesh nga politika amerikane.

Ndërsa republikanët theksuan trashëgiminë e tij, demokratja Ilhan Omar theksoi se “fjalët dhe veprimet e tij mbeten të dokumentuara”, duke refuzuar të bashkohet me deklaratat përkujtimore të tjera.
Në anën tjetër, Barack Obama reagoi kundër dhunës, ndërsa King shpërndau mesazhin e tij duke thënë: “Gjithçka është në rregull”.
Ngjarja ka hapur një debat të ri mbi përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale dhe rrezikun që sjell shpërndarja e tyre pa verifikim, sidomos kur bëhet fjalë për figura publike në momente të ndjeshme. /Telegrafi/



























































