Një ditë pas deklaratës së zëvendëskryetarit të delegacionit për Evropën Juglindore, Jelko Kacin se krahas raport-progresit, Parlamenti Evropian do të nxjerrë një raport të ri për Shqipërinë, ka ardhur edhe qëndrimi i Libor Roucek, zv/kryetarit të grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve evropianë.

Në një prononcim të djeshëm për “Albanian Screen”, ai tha se në 6 muajt në vijim do të jenë nën vëzhgim sjelljet e politikës shqiptare jo vetëm për kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian por edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në muajin korrik.


“Të dyja forcat e mëdha politike së bashku: Partia Demokratike dhe Partia Socialiste tani duhet të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për agjendën evropiane. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ajo që do të ishte thelbësore këtë vit, është raport progresi i vjeshtës. Unë personalisht do të doja që të diskutohej për Shqipërinë, por ne, grupi ynë politik i socialistëve e demokratëve nuk kemi një raportues për Shqipërinë. Më parë e kemi pasur këtë, por tani e ka marrë një grup tjetër. Ne mund të bëjmë presion, por nuk kemi raportues. Por ajo që është më e rëndësishme për Shqipërinë, është që ajo duhet të bëjë ndryshime, të bëjë reforma. Në mënyrë që këto ndryshime të përfshihen në raportin e progresit të Komisionit që del në tetor", tha Roucek për AS.

Raporti i Parlamentit Evropian do të debatohet dhe miratohet përpara publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian në tetor. Dy ditë më parë, zv /kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, Kacin deklaroi lidhur me këtë çështje se “nga njëra anë ky raport është një mbështetje, dhe nga ana tjetër ajo është një kritikë pozitive për të përmirësuar imazhin e vendit dhe të ekonomisë. Pikë së pari, për të dinamizuar hapat e ardhshëm të procesit të pranimit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu dhe Shqipërinë, kanë një perspektivë evropiane shumë të qartë. Kjo është arsyeja që unë pres që pas këtij debati, ne do të jemi në një pozitë akoma më të mirë për të marr vendimet e duhura. Ne sapo kemi vendosur se duhet të kemi një raport tjetër për monitorimin që po bëhet në Kroaci. Prandaj për shkak të kësaj unë jam mase i sigurt që dhe Shqipëria do të ketë këtë lloj raporti për këtë vit. Ky është një detyrim", u shpreh ai. /Bw/Telegrafi/