Nga: Neil McCormick, kritik i muzikës / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Thonë se dëgjimi i muzikës të mban të ri. Por, tani po më bën të ndihem më i vjetër sesa jam. Spotify Wrapped u publikua me një veçori të re që ia cakton një “moshë dëgjimi” secilit prej qindra miliona përdoruesve të saj.


Sipas platformës më të popullarizuar në botë për transmetimin e muzikës, mosha ime e dëgjimit është 74. Epo, nuk ndodh çdo ditë të të ofendojë sistemi yt i zërimit. Në të vërtetë, jam 64 vjeç, dhe si kritik profesionist i muzikës që ndjek skenën muzikore bashkëkohore, do të preferoja të mendoja se “jam në hap me të rinjtë” - dhe jo se jam në një udhëtim nostalgjik me pleqt.

Ky vlerësim i ashpër për moshën u paraqit me një mori grafikash të animuara dhe ritmesh gazmore - thuajse duhej të isha i lumtur që më thanë se fitova një dekadë gjatë natës. Nuk e di nëse Spotify e ka menduar mirë këtë. Një model të ri flokësh bëra sot, dhe ndihesha mjaft mirë para se të hapja aplikacionin muzikor që do të më thoshte: “Je shpirt i vjetër”, për shkak se “të pëlqen muzika nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX”. Nuk ka asgjë të keqe me muzikën e viteve ’60 të shekullit XX. Dekadë fantastike. Por, kur u ndanë Beatles, unë isha vetëm nëntë vjeç dhe jeta ime e dëgjimit sapo kishte filluar.

Gruaja ime, ndërkohë, ishte e kënaqur. Ajo është 63 vjeçe, por mosha e saj e dëgjimit, sipas Spotify-it, është 17. Spotify më bëri dashnor të grave të reja. Dua të them, çfarë ka qenë duke dëgjuar ajo kur vendos kufjet natën vonë? K-pop dhe Sabrina Carpenterin?

Dhe, si e bëmë një fëmijë mosha e dëgjimit e të cilit, sipas Spotify-it, është 66 vjeç? Artistët më të preferuar të djalit tonë 22-vjeçar përfshijnë Radiohead, Arcade Fire, St Vincent dhe Pink Floyd, duke dëshmuar se e kemi rritur me shije të shkëlqyer. Nuk e kam të qartë se si kjo e kualifikon atë si një gjashtëdhjetëvjeçar në muzikë.

Ka, sigurisht, një të defekt fatal në trukun promovues të Spotify-it, i vlerësuar nga inteligjenca artificiale dhe i drejtuar nga algoritmet. Me sa duket synon ta bëjë çdo dëgjues të ndihet unik dhe i rëndësishëm, por duket se bazohet në supozime të gabuara, duke i futur njerëzit në kategori të dyshimta të përcaktuara nga viti kur është regjistruar kënga. Vetë të dhënat janë shumë të dyshimta.

Artisti më i dëgjuar globalisht këtë vit, sipas Spotify-it, është reperi dhe këngëtari portorikan Bad Bunny, duke kaluar Taylor Swiftin e cila ka thyer disa rekorde të të gjitha kohërave në top-lista, transmetime dhe shitje. Swift e publikoi albumin e saj të fundit në tetor, me sa duket shumë vonë që të gjitha të dhënat e transmetimit të përfshiheshin. Mund të mendosh se qasja në të dhënat më të përditësuara do të duhej të ishte pjesë e qëllimit të një demonstrimi si ky. Rezultati përfundimtar është përshtypja se Spotify-i nuk i njeh dëgjuesit e vet as për gjysmë sa mendon.

Vetë Spotify është vetëm 19 vjeç dhe ndoshta nuk e kupton që ka pasur një botë përpara transmetimit. Si shumica e njerëzve në moshën time (74, sipas tyre), nuk dëgjoj muzikë vetëm në një platformë. Kam disqe, CD dhe madje edhe kaseta në zyrë nëse dua të dëgjoj të preferuarat e vjetra në një sistem të duhur audio, në vend që t’i dëgjoj në kufje të vogla nga një telefon i dobët. Dëgjoj radion në kuzhinën time, duke u lidhur me BBC 6 Music për të dëgjuar zëra nga një gamë e gjerë stilesh dhe, po, moshash.

Arsyeja pse përdor shpesh Spotify-in është për kërkime, për zhytje të thella në diskografitë e artistëve për të cilët shkruaj. Pra, po, Spotify, kam dëgjuar për një kohë të gjatë këtë vit emrat si Van Morrison, Wings, Ozzy Osbourne, Pink Floyd dhe Radiohead ... por, kjo nuk më bën të jem në të shtatëdhjetat. Në fakt, sa më pak i familjarizuar të jem me muzikën e dikujt, aq më shumë ka gjasa ta dëgjoj atë vazhdimisht në Spotify, prandaj edhe zhytem thellë në pionierët e tresh-metalit, Megadeth. Gjithsesi, ky është justifikimi im.

Gruaja ime është akupunkturiste që lëshon muzikë ambientale në punën e saj për t’i mbajtur pacientët të relaksuar. Ajo kryesisht dëgjon lista të krijuara nga algoritmi, ndaj u habit kur zbuloi se ndër zhanret e saj kryesore ishte një stil i quajtur drone. “Kjo nuk tingëllon mirë”, tha ajo. Por, në fund të fundit, ajo është thjesht një fëmijë.

Vitin tjetër, do ta përdor Spotify-in ekskluzivisht për të kërkuar pop për adoleshentë dhe muzikë elektronike moderne. Le të shohim çfarë mendojnë algoritmet e tyre për këtë. /Telegrafi/