Spitali i Pejës kryen intervenimin e parë laparoskopik urologjik në veshkë

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka realizuar me sukses intervenimin e parë laparoskopik urologjik në veshkë, një procedurë që deri më tani nuk ishte aplikuar në këtë institucion shëndetësor.
Operacioni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve urologjike dhe modernizimit të trajtimeve për pacientët në rajon.
Gjatë ndërhyrjes, mjekët kanë larguar një cist me madhësi rreth 20 centimetra nga veshka e një pacienti, raporton Telegrafi.
Procedura u krye nga urologu dr. Kushtrim Fejza, i asistuar nga dr. Vigan Vokshi dhe dr. Xhavit Krasniqi, ndërsa mbështetja profesionale u sigurua nga ekipi i Anestezionit dhe instrumentarët.
Spitali njofton se ky sukses shënon një etapë të re në ofrimin e trajtimeve minimale invazive, duke rritur cilësinë e kujdesit dhe duke hapur rrugën për procedura të tjera të avancuara kirurgjikale në të ardhmen.
Institucioni konsideron këtë ndërhyrje si një arritje domethënëse për mjekësinë rajonale dhe një përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët e Kosovës. /Telegrafi/
















































