Spitali i Mitrovicës shënon rritje të ndjeshme të operacioneve gjatë vitit 2025

Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka shënuar rritje të konsiderueshme të ndërhyrjeve kirurgjike gjatë vitit 2025, duke realizuar 500 operacione më shumë krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të spitalit, gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 3 mijë e 369 operacione kirurgjike, një shifër kjo më e lartë edhe në raport me vitet paraprake.
Ndërhyrjet janë realizuar me sukses të plotë nga ekipet mjekësore të degëve kirurgjike.
Operacionet janë kryer në Kirurgji të Përgjithshme, Ortopedi, Otorinolaringologji, Oftalmologji, Urologji si dhe në Obstetrikë dhe Gjinekologji, duke reflektuar një angazhim të shtuar dhe kapacitete më të avancuara shërbimi për pacientët.
Drejtuesit e institucionit kanë përgëzuar stafin e degëve kirurgjike dhe të anestezionit, përfshirë mjekët, infermierët dhe stafin tjetër mbështetës, për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e palodhshme gjatë gjithë vitit 2025. /Telegrafi/




















































