LAJMI I FUNDIT:

Sot përmbyllet fushata zgjedhore – të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve në 21 komuna

Sot përmbyllet fushata zgjedhore – të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve në 21 komuna

Subjektet politike sot do të përmbyllin fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve, të cilat do të mbahen ditën e diel, 14 nëntor.

Kandidatët të cilët janë në garë për kryetar të komunave, sot kanë ditën e fundit që të takojnë qytetarët e të shpalosin programet e tyre. Fushata zgjedhore sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte pesë ditë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve do të votohet në 21 komuna, përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Podujevën, Drenasin, Kaçanikun, Istogun, Dragashin, Fushë Kosovën, Obiliqin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Junikun, Vitinë, Malishevën, Vushtrrinë, Shtimen, Kllokotin dhe Mamushën.


Ndërsa, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.

Për gjatë kësaj kohe në mbështetje të kandidatëve për kryetar të komunave kanë qenë edhe liderët e subjekteve politike, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Lëvzijes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vazhdimësi ka bërë thirrje që të votohen kandidatët e LVV-së, duke thënë se kandidatët kanë një program të qartë.

“Unë nuk ju kërkoj gjë tjetër veç votës masive dhe ndjenjës së përgjegjësisë për kryeqytetin e Republikës dhe për komunat e Kosovës. Ne ju propozojmë një program konkret dhe të qartë dhe të zbatueshëm, por edhe një udhëheqës të thjeshtë e të ditur e punëtor. Votoni sepse komuna është e jona, sepse Republika është e jona, kryetari është i yni, qytetarët janë tanët, trashëgimia, shëndeti, arsimi, industria, kultura janë për ne dhe janë vepër e jona, dhe ne të gjithë e secili, bashkë, jemi të të gjitha këtyre dhe të të gjithëve”, thuhej në mesazhin e liderit të LVV-së.

Po ashtu, edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar qytetarët që të votojnë kandidatët e LDK-së, duke thënë se rrugëtimi i tyre është i drejtë dhe i qartë.

“Lidhja Demokratike është shtëpi e madhe politike, me kandidatë të jashtëzakonshëm e të mbarë. Si një familje, rrugëtimi ynë përpara është i drejtë dhe i qartë. Të gjithë, për të gjithë”, ka potencuar ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke bërë thirrje që të votohen kandidatët e PDK-së, ka deklaruar se kandidatët e tyre janë më të mirët.

“Fitorja e radhës na pret më 14 nëntor. Sepse, kandidatët më të mirë në Prizren, Vushtrri, Klinë e Malishevë, ashtu si në Drenas, Kaçanik, Dragash e Shtime, janë në numrin 177. Mbështetja e tyre të dielën është lajmi më i mirë për qytetarët e këtyre komunave për katër vjetët e ardhshme. #PDK #177 #BashkëPërKosovën”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qytetarët më 14 nëntor duhet të votojnë kandidatët e AAK-së.

“Qytetarë të Kosovës, këtë të diel me 14 tetor, ju ftoj pa dallim përkatësie partiake, etnike, fetare apo kulturore, që të dilni e të votoni të gjithë. Ju lutem votoni për ata që do ta bëjnë komunën e juaj më të jetueshme për ju. Ju lus të mos i harroni pesë njerëz të jashtëzakonshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhej në mesazhin e Haradinajt drejtuar qytetarëve.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate e cila ka vetëm një kandidat për kryetar të Malishevës, përmes një postimi në Facebook, thotë se fitorja e tyre më 14 nëntor është e padiskutueshme

“Qytetarë të shumtë anekënd Malishevës, pa dallim partie e bindje politike, me këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme, sonte e konfirmuan se më 14 nëntor fitues i padiskutueshëm i zgjedhjeve në Malishevë, do të jetë kandidati ynë, Ekrem Kastrati”, thuhet në njoftimin e Nismës Socialdemokrate, përcjell Telegrafi.

Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në garë në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon në raundin e dytë në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.

Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate do të jetë në balotazh vetëm në Komunën e Malishevës. /Telegrafi/