Stafi i “Big Brother” është kujdesur, që asnjë detaj të mos publikohet në media, në lidhje me personazhet, se cilët janë ata. Veçse një reklamë që transmetohet në “Top Channel”, numëron ditët mbrapsht të nisjes së spektaklit më të ndjekur, që do vazhdojë dy muaj. Në shtëpinë më të famshme do të hyjnë 14 banorët e rinj, të cilët do të jenë protagonistët e edicionit të dytë të këtij spektakli.

Këtë vit stafi i “Big Brother” garanton se personazhet, që do të hyjnë në shtëpi janë interesantë dhe se janë përzgjedhur mes mijëra aplikuesve, të cilët kanë qenë
pjesë e audicioneve për “Big Brother Albania”.

Publiku pret bashkëjetesën e re televizive, me dashuritë, konfliktet, inatet, dhe largimet një nga një të banorëve nga shtëpia, dhe shpalljen e fituesit.

Spektakli do të transmetohet 24 orë në 24, ne 2 kanale të DigitAlb, si dhe në “Top Channel”, ku çdo ditë përreth 30 minuta do të transmetohet përmbledhja e ngjarjeve më të rëndësishme të ditës, ndërsa të shtunën do te zhvillohet spektakli “live”. “Big Brother” realizohet nën markën e kompanisë “Endemol”.

Edicioni i parë pati shikueshmëri të lartë, ndërsa banorët më të spikatur vazhdojnë të jenë pjesë e faqeve rozë të shtypit të përditshëm. /PanoramaPlus/