Skenderaj përkujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin dhe dëshmorët e lirisë

Me rastin e përvjetorit të rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, përfaqësues të Komunës së Skenderajt bënë sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë të Drenasit.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Adelina Spahiu, si dhe drejtues të ekzekutivit komunal. Ata vlerësuan lart sakrificën dhe heroizmin e çiftit Lladrovci, të cilët u flijuan për lirinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Kryetari Nura tha se Fehmi e Xhevë Lladrovci mbetën simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
“Ata ishin bashkëshortë të pathyeshëm, me besë të lidhur jo vetëm ndaj njeri-tjetrit, por edhe ndaj idealit të përbashkët për atdheun dhe lirinë e tij”, u shpreh ai.
Po ashtu, në këtë ditë u përkujtuan edhe dëshmorët dhe martirët e fshatrave Tërnac e Lubovec, ku për nder të tyre u vendosën kurora me lule pranë lapidarëve.
Në homazhe morën pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari, familjarë të dëshmorëve, ish-komandantë të UÇK-së, anëtarë të Kuvendit Komunal dhe qytetarë të shumtë. /Telegrafi/
















































