Skena kryesore e festivalit "Tomorrowland" përfshihet nga flakët

Skena kryesore e festivalit të madh belg të muzikës elektronike, “Tomorrowland”, është përfshirë pothuajse tërësisht nga një zjarr masiv.
Pamjet e publikuara më 16 korrik nga televizioni belg VRT NWS tregojnë skenën duke u shkatërruar nga flakët, ndërsa re të mëdha tymi ngrihen në ajër.
Video të tjera të realizuara nga persona të pranishëm në vendngjarje tregojnë se skena është shkatërruar plotësisht.

Fatmirësisht, festivali ende nuk kishte nisur dhe nuk kishte pjesëmarrës në vendin e ngjarjes, megjithëse stafi ishte prezent.
Organizatorët kanë konfirmuar se nuk ka të lënduar, ndërsa hetimet janë në vijim.

Në një deklaratë zyrtare, organizatorët theksuan se janë të përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje për fundjavën e parë të festivalit (18-20 korrik).

Zjarri ndodhi vetëm pak ditë para nisjes zyrtare të “Tomorrowland 2025”, që do të mbahet në dy fundjava:
E para: 18–20 korrik
E dyta: 25–27 korrik
“Tomorrowland” konsiderohet festivali më i madh i muzikës elektronike në botë, me rreth 400 mijë pjesëmarrës çdo vit.
Sipas autoriteteve belge, shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje dhe publikut u është bërë thirrje të qëndrojë larg tymit.
Edicioni i 19-të i “Tomorrowland” do të sjellë në skenë emra të mëdhenj si: Martin Garrix, David Guetta, Steve Aoki, Armin van Buuren, Charlotte de Witte, Amelie Lens, John Summit, Fisher, The Blessed Madonna, Alok, Hardwell, Nervo, Agents of Time, Miss Monique e shumë të tjerë. /Telegrafi/


























































