LAJMI I FUNDIT:

Skema e efiçiencës së energjisë, Kurti: Skema që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit – të tjerat do t’i prezantojmë në javët në vijim

Skema e efiçiencës së energjisë, Kurti: Skema që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit – të tjerat do t’i prezantojmë në javët në vijim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë ditën e sotme në lansimin e thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar, organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Duke qenë se sektori i energjisë është kyç për qeverinë tonë, kryeministri Kurti para të pranishmëve ka përsëritur se fokus nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese, por edhe rritja e efiçiencës së energjisë.


Kësisoj, kjo ka paraprirë edhe lansimin e masës së tretë me radhë që është subvencionimi i pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetëushqyes.

“Në prill të këtij viti është lansuar masa e investimit në Efiçiencë të Energjisë për ndërtesat e banimit social e cila zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit për subvencionim të qytetarëve për investimet e tyre në efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre. Kjo thirrje është ende e hapur dhe synon t’i përkrahë rreth 2.000 familje”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se jetësimin e këtyre nismave e kemi bërë edhe falë mbështetjes së miqve e partnerëve tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës në përballje me pasojat e krizës energjetike evropiane.

Në kuadër të skemës së parë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje të vendit, janë mbështetur mbi 9.000 familje, duke subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Mbi 120 milionë euro janë ndarë për subvencionim direkt të faturave të energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare, dhe njëkohësisht tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022. Poashtu, me rreth 9 milionë euro kemi renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike: shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikësve.

“Kjo skemë që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit. Me këtë sot, e ato që do t’i prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje, e do të rrisim edhe më tej efiçiencën e energjisë në vendin tonë”, tha kryeministri Kurti. /Telegrafi/