Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME/MPB) raportoi se gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 72 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Nga këto, 11 vatra mbeten aktive, ndërsa 61 të tjera janë lokalizuar për shkak të ndërhyrjes së shpejtë nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse.


“Situata me zjarret po menaxhohet në koordinim të ngushtë me Njësitë e Zjarrfikjes, Qendrat Operative 112 dhe Policinë e Kosovës”, u theksua në njoftim.

Komuna më në vështirësi mbetet Kamenicë, ku janë evidentuar vatra të rrezikshme në fshatrat Tugjevc dhe Gmicë.

Në lidhje me këtë situatë, të pranishëm në vendngjarje kanë qenë autoritete të larta, përfshirë drejtorin ekzekutiv të AME-së. Në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e flakëve në terrene të vështira, është kërkuar ndërhyrje ajrore nga Forca e KFOR-it.

Njoftimi përmend edhe bashkëpunimin e vlerësuar mes institucioneve dhe qytetarëve.

“AME/MPB shpreh mirënjohje për përkushtimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it, Komunave dhe Qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/