Sistemi arsimor dhe fëmijët me vështirësi, psikologu Visar Sadiku flet për mungesën e përkrahjes në shkolla

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikologu klinik Visar Sadiku ka ngritur shqetësime serioze rreth trajtimit të fëmijëve me vështirësi në shkollat e Kosovës, duke theksuar mungesën e përkrahjes nga ana e disa mësuesve dhe dërgimin e gabuar të fëmijëve në qendra burimore.
Sadiku tregoi se ka pasur raste kur fëmijët kanë shfaqur vështirësi në procesin mësimor, por në vend që të marrin mbështetjen e duhur brenda klasës, janë përballur me refuzim nga vetë mësimdhënësit.
“Ka pas raste ku fëmija ka pas vështirësi, mirëpo si pasojë e mungesës së vullnetit të mësuesit për me mujt me mbështet fëmijën… ndonjëherë thonë mësuesit që ‘nuk po mundem dhe nuk po du asistentë brenda klasës se po ma pengon procesin e mësimit’”, theksoi psikologu.
Ai shtoi se ky qëndrim jo vetëm që pengon përfshirjen e fëmijës në klasë, por edhe e shtyn familjen drejt vendimeve të gabuara – siç është dërgimi i fëmijës në qendër burimore, edhe kur nuk është e nevojshme nga aspekti klinik.
“Familjet, duke mos i ditur efektet, është dashur me dërgu fëmijën në qendër burimore. Ne e dimë klinikisht që fëmija që duhet të adresohet atje duhet të ketë një koeficient të inteligjencës me deficitë të theksuar,” sqaroi ai.
Sipas Sadikut, qendrat burimore janë të destinuara për fëmijë me vështirësi të rënda zhvillimore, si çrregullimet e spektrit të autizmit apo çrregullime të tjera specifike në një shkallë të rëndë.
Në shumë raste, megjithatë, janë ndërmarrë iniciativa të nxituara për t’i larguar fëmijët nga sistemi i rregullt arsimor, pa pasur baza profesionale apo klinike për këtë veprim.
“Kemi pas raste kur fëmijët nuk i kanë pas shumë të theksuara këto vështirësi dhe janë ndërmarrë iniciativa për me dërgu fëmijën atje, derisa ne kemi thënë ‘jo kadal, kjo nuk bën me ndodh’”.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com


















































